LSI zgjedh sot kryetarin dhe strukturat e reja, përmes votimit të anëtarësisë që do të zhvillohet “on line”.
Ka nisur sot në orën 09:00 procesi i zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të zgjasë deri në orën 16:00.
Anëtarët e LSI-së po votojnë këtë të shtunë për forumet drejtuese dhe do të përcaktojnë strukturat që do të drejtojnë forcën politike, që aktualisht udhëhiqet nga Monika Kryemadhi.
Ndërkaq ata që nuk janë të pajisur me kartë do të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë.
Monika Kryemadhi kandidon e vetme, ndërsa përmes këtij votimi, që zhvillohet on line për shkak të pandemisë, do të zgjidhen edhe strukturat e partisë.
Zgjedhjet e ekipit drejtues të LSI, janë edhe zgjedhje të “ekipit fitues për zgjedhjet e 25 prillit.”
Kështu u shpreh kryetarja e KQZ-së në këtë parti Silva Caka, e ka cilësuar tepër të rëndësishëm procesin e votimit.
Në një deklaratë për media pas nisjes së votimeve në 51 qendra, Caka tha se deri më tani s’janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore dhe kanë nisur votimet si fizikisht ashtu edhe përmes aplikacionit online. /NOA.al