Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët ka insistuar në qëndrimin e saj se nuk e njeh sëmundjen e koronavirusit.
Ajo u shpreh se çdo njeri, mjafton të mbajë higjenë dhe distancë sociale për të parandaluar Covid 19. Mes të tjerash, ajo pranoi se për një gjë të tillë është kritikuar edhe nga bashkëshorti i saj, presidenti Ilir Meta.
“Po është e vërtetë që jam kritikuar nga presidenti, madje më mban edhe distancë sociale në shtëpi nga Covidi, por ju them një gjë: presidenti ka mbaruar për ekonomi, kryeministri për pikturë, unë për biokimi. KJo do të thotë se unë di të dallojë si të ruhem nga një sëmundje e tillë. Po të ruhesh është e lehtë ta parandalosh”.
Kryetarja e LSI-së tha se në zgjedhjet e 25 prillit, “Rama s’ka shans të jetë i pari as i dyti se janë të zëna, po doli i treti apo i katërti. Të jeni te sigurtë që pas 3 4 javesh do thotë nuk dal në zgjedhje vetëm po te ikë Basha e Meta. Nuk ia heqim frikën Ramës nga përballja e votës”
Kryemadhi dha një përgjigje dhe nëse LSI do bashkëpunojë me Topallin. “Nuk kam kontaktuar me Topallin, por nuk më ndalon t’i uroj suksese. Si pjesë e opozitës së bashkuar jam e bindur që çdo parti që është vendosur për të larguar Edi Ramën nuk ka arsye për të mos qenë pjese e koalicionit opozitar. Shqiptarët e kuptojnë lojën politike apo angazhimin politik të secilit prej nesh”
E pyetur për ish-ministrin e LSI-së, Lefter Koka, i cili pritet të kalojë në radhët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme, Kryemadhi theksoi: “Çështja e zotit Koka është e shkuar, nuk mban përgjegjësi LSI për aferat e zotit Koka, nuk mbajmë përgjegjësi për incerenatorët. Petrit Vasili e ka kundërshtuar këtë nismë. Sa i përket SPA-ut, nuk është se kam pasur ndonjëherë besim, as te prorkuroria, është një institucion, i kapur, i intimiduar. LSI është partia e parë që e ka denoncuar. Lefteri është viktimë e tre ministrave të Ramës, nuk guxon njeri të firmosë letra pa urdhrin e Ramës”, – shtoi ajo. /NOA/