Loading...

Joe Biden afër fitores, në Miçigan 30 persona tentojnë të hyjnë në sallën e numërimit të votave

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte e nderë.
Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Gjendja ishte e tendosur të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com