Joe Biden siguroi fitoren e parë në ditën e zgjedhjeve në SHBA, ndërsa Trump të dytën, pasi në dy fshatra të vegjël u numëruan votat.
Biden siguroi 5 votat e të gjithë personave që mund të votonin nga 26 banorët e fshatit Dixville Notch në Nju Hempshajër, ku votat numërohen të parat prej 60 vitesh tashmë. 20 kilometra më larg, në fshatin Millsfield, votuan gjithsej 21 persona dhe rezultati ishte 16-5 në favor të presidentit aktual.
Ligjet zgjedhore lejojnë bashkitë me më pak se 100 banorë që t’i hapin pikat e votimit që pas mesnate, ndërsa në të gjithë vendin votimet fillojnë në orën 6 ose 7 të mëngjesit.
Megjithatë, për shkak të pandemisë dhe rritjes së numrit të personave që kanë votuar me postë, më shumë se 100 milionë vota janë hedhur deri tani, sipas të dhënave zyrtare.