Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për partinë e re të Jozefina Topallit, Lëvizja për Ndryshim, duke thënë se ky është një ushtrim i të drejtës themelore për këdo.
Ai ka pohuar se nuk komunikon me ish-bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë prej më shumë se 7 vjretësh, që kur në pushtet erdhi Partia Socialiste.
“Sa i përket vendimit të zonjës Topalli, dhe kujtdo tjetër, është ushtrim i së drejtës themelore. Unë përshëndes Partinë Demokratike, por njoh dhe respektoj të drejtën e çdo shqiptari për zgjedhje, – tha Berisha. – Akuzat e Topallit ndaj Bashës? Topalli dhe cilido është i tillë të bëjë të gjitha grupimet dhe klasifikimet, por Basha po udhëheq opozitën drejt fitores, për dërgimin e Ramës drejt qelisë”.
Ish-kryeministri më pas tregon se nuk komunikon prej më shumë se 7 vjetësh me ish-kryeparlamentaren, që prej kohës kur Partia Demokratike humbi zgjedhjet në vitin 2013.
“A e kam uruar Topallin për partinë e re? Nuk kam komunikuar për këtë nismë të re, sepse nuk kam asnjë lidhje me projektin e saj politik, komunikoj për gjëra të tjera. Unë nuk prish marrëdhëniet me asnjë, marrëdhëniet e mia me të janë ngrirë në vitin 2013, aty ku janë lënë. Ata e dinë se edhe një po mbeti aty, i dyti do jem unë në PD, – vijoi Berisha, i cili u shpreh se ka kohë për një bashkim real të PD. – Koha për t’u bashkuar mbi bazë programi është gjithnjë opsion real, por se çfarë do të ndodhë, unë jam tërësisht i çliruar nga çdo lloj funksioni në PD”. /NOA/