Aktori i njohur i “Portokallisë”, Ledio Lako, ka zbuluar sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, eksperiencën e tij me Covid-19. Me shaka tha se ai është po njësoj, sërish pa flokë dhe me pak bark.
Ndërkohë i pyetur se si e mori vesh se ishte i infektuar me koronavirus, Ledio tha se në fillim rezultoi pozitiv babai i tij, i cili e ka kaluar paksa rëndë.
Unë e kisha bërë tamponin, pasi babai im doli pozitiv me Covid-19. Më vonë edhe mami tha se nuk ishte mirë. Të shtunën më thotë vëllai se nuk jam mirë së bashku me familjen e tij.Tamponin e kisha bërë 2 herë brenda një jave. Por më thanë se do të rrija në shtëpi se isha në kontakt me persona të prekur nga Covid-19. Të hënën më morën në telefon se kisha dalë negativ, e gjithë familja pozitive. Pas dy orësh më morën në telefon dhe më thanë se isha pozitiv. Kur mora lajmin isha në spital se kisha dërguar mamanë për të bërë një skaner. Lajmërova Top Channel, eprorët dhe gjithë kolegët”, tha aktori i dashur i humorit.
Ai rrëfeu se tamponin e ka bërë në shtet dhe se të gjithë janë treguar shumë të gatshëm. Lako sqaroi se i është dashur 5 ditë që të priste përgjigjen e tamponit, pasi i kishin thënë se ka shumë ngarkesë.
Gjithashtu tregoi se si kishte humbur shpresat se babai i tij mund ta fitonte betejën me Covid-19. Sipas tij, ai kishte qëndruar 8 ditë në shtëpi dhe 13 ditë në spital.
“Babai e ka kaluar shumë keq. Qëndroi 8 ditë në shtëpi, e më pas e shtruam në sanatorium. Janë treguar të gjithë të gatshëm që nga mjekët e deri tek infermierët. 13 ditë qëndroi në spital. Babai rrezikoi jetën, ishim 50-50 për të mos thënë 60 për të ikur dhe 40 për qind për të jetuar. Isha i vetmi në shtëpi se mund ta humbja babanë. 76 vjeç, shumë aktiv. Por kisha frikë sepse i ra shumë imuniteti, trupi. Zëri i kishte ikur fare, diabeti ju shfaq, se nuk ka patur ndonjëherë”, tregoi Ledio.
Nga ana tjetër, aktori tregon se në atë periudhë e kanë ndihmuar shumë shokët e tij, pasi e gjithë familja ishte në karantinë dhe se nuk kanë dalë nga shtëpia fare.
“U futëm të gjithë në karantinë, po kush do na sillte për të ngrënë. Më kanë ndihmuar shumë shokët, ju jepja listën me ushqime dhe mi sillnin”, tha Ledio.