“Nuk ka analist që mund të parashikojë se çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet në Kosovë apo në Shqipëri. Qytetarët shqipfolës, për botën perëndimore, janë pa definicion që përfaqëson qytetarin shqiptar. Në Shqipëri, prej 8 vitesh, Edi Rama është shndërruar në një Erdogan. Po t’i pyesësh shqiptarët në rrugë, prej sa vitesh jeton me gruan apo me burrin? Do të thonë: “10 vite dhe jam mërzitur shumë. Më ka lodhur kjo bashkëshortësi”.
Ndërsa po t’i pyesësh, po Edi Rama, jo? Do të përgjigjen: “Partinë nuk e ndërroj”. Kjo do të thotë se shqiptarët e kanë më të lehtë të ndërrojnë familjen, gruan ose burrin, sesa liderin politik. Përderisa ne vazhdojmë me këtë mendësi politike, ne do të vazhdojmë të vuajmë për dy gjërat më elementare, për jetën e njeriut, për ujë dhe për drita”.
Kështu u shpreh në A2 gazetari dhe opinionisti Milaim Zeka, teksa dha lajmin se në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme në pranverën e ardhshme.
Ai u pyet se cilat janë pritshmëritë nga këto zgjedhje, por theksoi se është shumë e vështirë të parashikosh shqiptarët.
“Sot, qytetarët në Shqipëri dhe në Kosovë mendojnë kur ju vijnë dritat dhe kur ju vjen uji. Imagjino. Nuk e di me të vërtetë se çfarë do të ndodhë. Këtu, mundet një njeri që ta shohë një parti politike 24 orë dhe kur vjen puna te vota sërish voton për të njëjtën parti. Më dhimbsen vetëm pleqtë dhe fëmijët. Shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri meritojnë akoma më zi, por më vjen shumë keq për brezin e ri se në çfarë shteti të pistë jetojnë”, tha Zeka.