Sekretari i Mehmet Shehut: Fortifikimi, arma e fortë që i duhej ushtrisë
INTERVISTA/ Flet ish-zyrtari i lartë i ushtrisë shqiptare, Hysen Qendro: Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër kryesorët është edhe fortifikimi
Historia e fortifikimit të jashtëzakonshëm të ushtrisë shqiptare në sistemin monist, shifra dhe fakte të pabesueshme rreth saj. Që të gjitha, vijnë përmes një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, të Hysen Qendros, një personalitet i njohur ky nga kuadrot e ushtrisë sonë të asaj kohe. Prania e tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, ka kontribuar në reformimin e ushtrisë, që u krye në vitet 1974-1981, nën drejtimin e ish-kryeministrit, Mehmet Shehu. Për të cilin tregon edhe sesi ideoi e organizoi eksperimentin në rajonin e Rëzomave të Delvinës, ku u kryen qitje të drejtpërdrejta mbi qendrat e zjarrit. Sipas tij, fortifikimi atje ku u ndërtua nuk cenon asgjë, përkundrazi, “është një dëshmi e kohës e po të ruhet e mirëmbahet do të jetë i gatshëm për çdo rast”. “Ndjej keqardhje për politizimin që u bëhet objekteve fortifikuese nga politikanë e shtetarë”, pohon më tej ai…
Intervistoi: Albert Zholi
Z. Qendro, përse në atë sistem, fortifikimi ishte domosdoshmëri e mbrojtjes sonë?
Në kohët e sotme, zhvillimi dhe shpërndarja me shpejtësi e informacionit, është një e mirë e madhe dhe forcë lëvizëse edhe për fushën e mbrojtjes. Por pasja e informacionit nuk vlen pa nxjerrë përfundime dhe lypset pjesëmarrja e organeve të specializuara dhe specialistëve që kanë punuar për një kohë të gjatë në fushat përkatëse. Tek ne ndodh një dukuri e veçantë. Këtu ata heshtin dhe flasin politikanët, shtetarët e mediat, që nuk kanë njohuritë e nevojshme mbi problemet dhe që as kanë punuar në atë fushë. Kështu, p.sh., për fortifikimin që është ndërtuar në vendin tonë, nuk flasin ushtarakët të cilët e kanë ideuar dhe ndërtuar atë, por ata që nuk njohin ligjet objektive të luftës dhe as parimet apo rregullat e veprimeve luftarake, duke përhapur mendime dhe qëndrime të gabuara për këtë çështje. Ndjej keqardhje për politizimin që u bëhet objekteve fortifikuese nga politikanë e shtetarë. Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, me strategji të qartë për mbrojtjen e vendit të vet, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër kryesorët është edhe fortifikimi. Situatat reale ushtarake e diktonin domosdoshmërinë e fortifikimit të pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, si masë shumë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së saj. Kurse fortifikimi i përhershëm kërkon kohën e nevojshme dhe duhet kryer përpara fillimit të luftës, pra që në kohë paqeje, për të qenë i gatshëm për të mbrojtur forcat dhe mjetet nga goditjet e fuqishme të mësymësit në kohë lufte. Fortifikimi i ndërtuar sipas pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, ka kushtuar vlera të konsiderueshme ekonomike dhe ka angazhuar fuqi të madhe njerëzore për një periudhë dhjetëvjeçare dhe atje ku u ndërtua nuk cenon asgjë, përkundrazi, është një dëshmi e kohës e po të ruhet e mirëmbahet do të jetë i gatshëm për çdo rast. Kur analizojmë dhe gjykojmë për vlerat e fortifikimit të mbrojtjes sonë, t’i shohim e t’i gjykojmë jo me gjendjen e sotme politiko-ushtarake dhe të sistemit ekonomiko-shoqëror të sotëm në vendin tonë, por me Shqipërinë e asaj kohe, me gjendjen, kushtet dhe sistemin ekonomiko-shoqëror të saj. Veç kësaj, atëherë dhe sot, lypset të kuptojmë se shkenca ushtarake me ligjet e saj kanë vërtetuar se terreni dhe fortifikimi janë aleatë të përhershëm. Ata janë “skena” ku kryhen veprimet luftarake, që përgatiten dhe pajisen me kohë, sipas planëzimit luftarak. Kjo është domosdoshmëri që nuk duhet e nuk mund të mohohet, sidomos për kushtet e vendit dhe ushtrisë sonë të vogël, të pozicionit gjeopolitik të Shqipërisë në Ballkan. Askush nuk na siguron se nuk do të ketë më nevojë për objekte fortifikimi. Ato janë të ndërtuara dhe duhet të ruhen.
Kur dhe si filloi fortifikimi i mbrojtjes sonë?
Fortifikimi i mbrojtjes sonë filloi pas një studimi dhe përnjohje të hollësishme të terrenit, nga kuadrot më të larta ushtarake, në bashkëpunim me komandat e njësive, sipas një plani të veçantë. Objektet fortifikuese u vendosën sipas koncepteve taktike, operative dhe strategjike të artit tonë ushtarak dhe drejtimeve përkatëse të mbrojtjes. I ndërtuar në atë periudhë, fortifikimi e kreu funksionin e vet duke u treguar kundërshtarëve se ky vend kishte zot; se në rast sulmi ndaj tij armiqtë do të përballeshin me një mbrojtje që nuk mund të kalohej kollaj. Ishte organizimi ushtarak i përsosur, përgatitja e vijueshme ushtarake e të gjitha strukturave dhe kontigjenteve, fortifikimi i rajoneve dhe brezave tonë të mbrojtjes, si dhe gatishmëria e lartë luftarake, të cilat synonin që mbrojtja e vendit të ishte e sigurt dhe e paprekshme. Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit, që nga vija e parë e në thellësi, duke e goditur me aviacion, artileri dhe raketa, për ta paaftësuar e mbajtur nën goditje të pandërprerë kundërshtarin për një kohë të gjatë, siç vepruan forcat e NATO-s kundër objekteve të forcave serbe në luftën e Kosovës. Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë. Duke e parë nga këndvështrimi i vlerave, që fortifikimi u jep veprimeve taktike dhe operative të trupave si dhe organizimit të sistemit të zjarrit, le të analizojmë disa nga argumentet konkrete si masë e domosdoshme e sigurimit luftarak. Përvoja e veprimeve luftarake në vija të fortifikuara dhe ajo e stërvitjeve me trupa e ushtrisë sonë, tregojnë se probabiliteti i goditjes së ushtarit, që lufton nga qendra e zjarrit, është shumë më i vogël sesa kur lufton në terren të hapur. Për ta vërtetuar këtë, në vitin 1988 në krye të një grupi oficerësh, efektivë të batalionit artmitralier të Çerenecit, në Peshkopi, kam kryer eksperimentin me qitje reale për të nxjerrë treguesit konkretë sesa plumba mund të hynin në frëngjinë e qendrës së zjarrit dhe sa goditje mund të merrte ushtari kur lufton brenda saj. Eksperimenti u krye mbi një qendër zjarri, që ndodhej në pjerrësitë e lartësisë 802, 500 metra larg lapidarit të partizanit Tercilo Kardinali, hero i LANÇ-it, efektiv i batalionit partizan “Antonio Gramshi”. Përfundimi: nga gjithë ai vëllim zjarri, plumbat goditnin kupolën dhe vetëm gjashtë prej tyre e rrezikonin ushtarin.
Si u veprua para se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit?
Fortifikimi edhe në pikëpamje teknologjike është studiuar dhe eksperimentuar për cilësinë e ndërtimit të objekteve të tij. Përpara se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit, për të parë qëndrueshmërinë ndaj goditjeve të artilerisë, të raketave dhe të efektit të zjarrit mbi efektivin, që do të luftonte brenda dhe jashtë tij, në vitin 1976, në rajonin e Rëzomave të Delvinës u kryen qitje të drejtpërdrejta mbi qendrat e zjarrit të një garnizoni pesësh. Ky rajon, në pikëpamje ushtarake, ishte një rajon tipik për vendosjen e forcave të skalioneve të dyta të mbrojtjes nga drejtimi bregdetar; por ajo ultësirë, e rrethuar nga lartësi, është shumë e përshtatshme, që kundërshtari ta përdorë për desantim, në ndihmë të forcave mësymëse që mund të veprojnë nga deti dhe nga drejtimi i Konispolit. Kjo ishte mbajtur parasysh në fortifikimin e atij rajoni. Me qëllim që qendrat e zjarrit të provoheshin për aftësinë mbrojtëse të tyre dhe shkallën e dëmtimit të forcave të gjalla nga zjarri i artilerisë, në to dhe në trashe, u futën kafshë eksperimentale; në secilën prej tyre zjarri u futën: një qen; një dele ose dhi dhe një lepur. Në gojë u vunë nga një shkop, për ta mbajtur të hapur, për efekt të krismave të predhave. Edhe në çdo element “E-4” u vendosën gjë të gjalla, si më sipër. Ndërsa në transhetë e qendrave të zjarrit, kafshët u vendosën çdo 6 metra. U vendosën dhe 20 figura në formën e pupacëve, me përmasat e trupit të njeriut. Kjo ishte gjendja që u sajua për të matur qëndrueshmërinë e fortifikatave dhe shkallën e dëmtimit të gjallesave, që ishin brenda dhe jashtë tyre, të cilat u qëlluan fuqishëm nga zjarri i armëve të kalibrave të ndryshëm të artilerisë. Në fillim u kryen qitjet me shënjim të drejtpërdrejtë, së pari me topin 75 mm, topin 107 mm, 85 mm dhe 100 mm. Pas tyre u krye qitja indirekte, me armët përkatëse, që përmendëm më sipër, duke filluar me baterinë e mortajave 160 mm, 120 mm dhe 82 mm. Pas këtyre dy lloj qitjesh, me bateritë e asaj artilerie, u krye qitja me zjarr të shpejtë me të gjitha bateritë njëherazi për pesëmbëdhjetë minuta mbi pozicionin e fortifikuar. Në fund u hap zjarr edhe me predha reaktive 130 mm.
Qendrat e zjarrit dukeshin me pajime të plota, ishin të pamaskuara dhe të parrafshuara me tokën. Në situatë reale do të jetë e vështirë të zbulohen, qendrat e zjarrit dhe të goditen me aq saktësi, si në provën eksperimentale që zhvilluam ne.
Në eksperimentin tonë i takoi 4,8 predha për m². Po të shumëzohet sipërfaqja që zë toga e këmbësorisë, 50.000 x 4,8, do të duhej të hidheshin 240.000 predha, që po t’i shumëzosh me peshën mesatare të një predhe, duhen 2660 tonë municion, vetëm për të përpunuar me zjarrin e artilerisë pozicionin e fortifikuar të një toge të këmbësorisë në mbrojtje. Kur të shkoni ndonjëherë në Sarandë, hidhni sytë nga ajo fushë, ku, do të shikoni disa njolla të bardha pulla-pulla. Ato janë copat e betonit që kanë mbetur nga shkatërrimi i qendrave të zjarrit në të gjithë atë sistem kodrash përreth fushës. Ato vulosin turpin e shkatërruesve të organizuar të qendrave të zjarrit, të cilët s’kanë të ndaluar edhe sot.
Cilat kanë qenë rezultatet e eksperimentit të kryer nga ushtria jonë?
Në eksperimentin që u krye rezultoi: transhetë, që lidhnin qendrat e zjarrit me njëra-tjetrën, u dëmtuan aq sa nuk ekzistonin më, ndërsa hyrjet e qendrave të zjarrit ishin bllokuar me dhè. Të pesë qendrat e zjarrit, të cilat kishin formë dhe cilësi të njëjtë teknologjike, nuk patën dëmtime të mëdha; vetëm nga qitja me topin 75 mm rezultoi i dëmtuar elementi “E-2”, për të cilin, pas eksperimentit, u prodhua një element përforcues, “E-6”, që iu montua përpara, për ta mbrojtur. Eksperimenti tregoi se zjarri i artilerisë, që u derdh mbi atë pozicion të fortifikuar, asgjësoi plotësisht forcat e gjalla, që u vendosën në transhe, ndërsa ato që ishin future në qendrat e zjarrit, patën humbje shumë të vogla. Ky eksperiment u ideua, u organizua dhe u udhëhoq drejtpërdrejt nga strategu ynë ushtarak me përvoja luftarake, Mehmet Shehu. Me qëllim që të provohej veprimi i predhës që binte në afërsi të qendrës së zjarrit, sidomos pranë frëngjisë, për të parë ç’efekt kishte brenda në qendrën e zjarrit në kohën e plasjes, ç’masë dheu zhvendosej prej saj dhe pasojat mbi frëngjinë, u provua me një predhë mortaje 160 mm (predhë eksplozive). Ajo u vendos afër elementit “E-6”, përpara frëngjisë, u gropos në thellësinë 1.82 m, sipas llogaritjeve që bënë specialistët, në bazë të gropës që hap predha kur bie në tokë me fortësi mesatare.
BINDJA
“Përfundimi i këtij eksperimenti dhe përvoja e veprimeve stërvitore të ushtrisë sonë na bindën se fortifikimi, që u zbatua në vendin tonë, si nga ana teknologjike ndërtimore, ashtu dhe në vendosjen taktike e operative të objekteve, siguronin mbrojtje të qëndrueshme dhe aktive”.
HISTORI
Harxhimet më të mëdha të municioneve të artilerisë
Harxhimi më i madh i municioneve të artilerisë, që njeh historia e Luftës së Parë Botërore, është ai i ushtrisë aleate kundër Gjermanisë. Gjatë kundërmësymjes që u zhvillua prej 13 deri më 26 gusht të vitit 1917, në një front prej 15 km, u hodhën 14.000.000 predha. Ose në betejën e Stalingradit, më 3 shkurt 1943, ku në 5000 garnizone u hodhën 70.000 predha, që i takon 140 predha për çdo garnizon. Kjo sasi predhash, në qoftë se do të përdorej për të krijuar dendësinë që u arrit në eksperimentin tonë, do të mjaftonte për të përpunuar me zjarr artilerie vetëm tre pikëmbështetje të fortifikuara toge. Po kështu, edhe gjatë luftës në Vietnam, ushtria amerikane, në vitet 1950-1952, mbi 400 garnizone hodhi 6.075.000 predha. Me këtë sasi predhash, në qoftë se do të arrihej dendësia e predhave të eksperimentit tonë, do të ishte e mjaftueshme për të përpunuar me zjarr artilerie 215 pikëmbështetje të fortifikuara toge ose 24 rajone të fortifikuara batalioni. Përfundimet na vlejnë për t’u mbajtur parasysh gjatë përdorimit të artilerisë e të zjarrit të saj nga kundërshtari, për bllokimin e qendrave të zjarrit dhe të humbjeve të forcave që janë brenda tyre.