Kryeministri Rama e nis ditën me fotot e disa “guest-house-ve” në Malësinë e Madhe, dhe i mrekulluar nga to shkruan se mezi po pret të takojë katër djemtë që i kanë ndërtruar.
“MIRËMËNGJES , dhe me këto pamje që s’janë as në Zvicër as në Austri, po në Vermoshin ku nisma jonë zhvillimore e projekti tanimë i përfunduar i Qendrës Turistike të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka nxitur investime e plane private që do ta kthejnë këtë mrekulli të natyrës së Malësisë së Madhe në një destinacion europian gjatë kësaj dekade, ju uroj një fundjavë të bukur”, shkruan Rama.
Më tej, ai thotë se mezi pret të takojë djemtë dhe t’ju përulet me respekt. “Mësova se këtë perlë e kanë bërë duart e katër djemve punëtorë të zonës, dy sipërmarrës të talentuar e dy emigrantë të kthyer nga jashtë, të cilët mezi po pres t’i takoj e t’u përulem me admirim e respekt për shijen, cilësinë dhe shembullin fantastik të kësaj pune të mrekullueshme që është edhe një pasqyrë kuptimplotë për dembelat, qaramanët e kukuvajkat e Shqipërisë së klubeve politike, mediatike e internetike”, përmbyll kryeministri dhe ndan foto e mëposhtem.