Loading...

Poeti Edi Rama, themi poeti sepse ai na rrëfeu për ‘Shqipërinë ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’

OPINION NGA AGRON GJEKMARKAJ

Para një asambleje të maskuar, foli poeti Edi Rama. Themi poeti sepse ai na rrëfeu për “Shqipërinë ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e uruara! Një prozë poetike kjo kësaj here. Kryeministri kishte ikur në drejtim të paditur! Ai që foli në vendin e tij, duke aktruar një hartim rilindës, na tha që jemi qorra dysysh që nuk e shohim sa mirë e qeverisi vendin këto tetë vjet!

Si e nxori nga gremina drejt e në selamet! Fliste pa u lodhur, gjatë qamet, gjatë për të na mbushur mendjen sa janë lodhur e sa kanë hequr për të bërë shtet! Shqipëria që na prezantonte, nuk ishte ajo që njohim dhe na duket e poshtëruar! Ajo, nëpër të cilën ecim dhe shohim sesi varfëria është fytyra e saj pa buzëqeshje!

Ajo, në të cilën brengosemi e rënkojmë nga demagogjia e gënjeshtrat, nga korrupsioni e banaliteti, nga krimi e zuzarët me kollare a zinxhir ari në qafë! Ajo ku vidhen zgjedhjet dhe zhvillohen të tilla po opozitën! Ajo që shërbëtorin surratqerep e bën deputet e ministër, ndërsa të ndershmin e dëbon në skutat e anonimitetit e fukarallëkut! Ajo që shpenzon 20 milionë euro për të ndërtuar një km rrugë!

Ajo që shpërndan paranë publike për klientët e pushtetit, ajo që pushtetin e kthen në piramidë, majë së cilës rri një sundimtar! Ajo që ka mbetur te portat e Europës me rrogat më të ulëta, me azilantët më të shumtë, pa standarde demokratike, një vend që pas 30 vjetësh pluralizëm prish rregullat e farës elektorale dhe si e tillë nuk integrohet kurrë!

Ajo që mbjell kanabis e jo grurë, që lëvron paranë e zezë për të mbajtur pushtetin e bardhë. Nuk foli as për atë ë premtimet i shndërron në gënjeshtra dhe gënjeshtrat në hile, ndërsa hilet në rregulla, as për atë që nuk rrit as rroga e as për ata që jetojnë me rroga e sidomos për ata që s’kanë fare të tilla. Këtë Shqipëri, “poeti” e zhduku nga subjekti i epopesë së tij! Madje, edhe për “Rrugën e Kombit”, për NATO-n e të tjera sikur meritën ia la vetes. Duartrokiste asambleja me zjarr e zulme megjithëse dukej më e vërtetë se kurrë, pa fytyra e pa emra, e gjitha anonime me maskë, gjynah që s’kishin mbuluar edhe pjesën e sipërme dhe asisoj do t’i përgjigjeshin më mirë statusit të tyre publik si persona pa fytyrë, pa emër, pa identitet, persona që nuk paguhen për të menduar, por për t’u bindur e duartrokitur.

Kur flitej për aeroportin e Vlorës dhe Kukësit, për rrugët dhe veprat HD, me të cilat na kënaqi shpirtin dhe harenë duke ua prerë shiritin! Ne i dinim të kryera, por jo, do bëhen gjatë mandatit të tretë, mandatit të vrapimit! Njerëzit do të ikin, tha poeti, shumë madje, po ani s’ka gjë, ju më votoni mua se unë jam marifeti, jam lezeti, jam shpëtimi dhe gëzimi. Duartrokiste asambleja! E për çfarë ndezulloheshin evletërit? Po dëgjonin të bashkuar në një të gjitha premtimet e vitit 2013 e 2017! Guximi për të gënjyer për tetë vitet që lanë pas e më shumë ai për të premtuar që të gjitha ato që s’i bënë në 8 vjet, do t’i bëjnë në mandatin e tretë, ishte karakteristika e poezisë politike të Edi Ramës dje!

Konkluzioni më i madh ishte sa keq ka qeverisur opozita këto 8 vite, ndaj ta lëmë prapë në opozitë. Duartrokiste asambleja, duart me pulla i bënte! Një detaj ra në sy: gara e Ditmir Bushatit me Elisa Spiropalin se kush do ta shihte më ëmbël, me përdëllyeshëm, më me dashuri liderin, duke shprehur fuqinë e shikimit, meqenëse gjestikulacionin e mbulonte maska! U përpoq Ditmiri i gjorë! Pat nga ata që menduan se do t’i hidhej te këmbët duke i thënë me qarje e vikama aq sa me ju këputë shpirti të madhit e të voglit: “Falmë, o atë, falmë, më duaj edhe një herë se ne u përmbystë bota nuk të zhgënjej!”. Po nuk e bëri, nuk gjeti fuqi, mbase kur të mblidhet asambleja prapë! Në fund, garën e fitoi Elisa, Genti dhe Ahmetaj! Këto ishin tharmet e sharmet e atij takimi epik nga ku u mor hovi për ta bërë Shqipërinë Zonjë, për të dërrmuar opozitën që kaq keq qeverisi gjatë 8 viteve të nëmura e të mbushura me zezona! Edhe shenjti, edhe djalli, fshihen brenda tek i gjalli, shkruante dikur Hamit Beqja. Sot, djalli e kishte braktisur njeriun Edi Rama! Pamë vetëm shenjtorin, një tip Shën Françesku që lexonte “lulëzat” (i fioreti) veprën e jetës së tij politike! Vetëm Edi Rama me të vetët bëjnë të tilla magji apo sihre siç i thërret populli ynë poezidashës.

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com