Avokati i njohur Spartak Ngjela zbuloi sot se PS dhe PD kanë tentuar të bëjnë një qeveri të përbashkët deri para 1 muaji e gjysmë, por kjo ide është refuzuar nga SHBA.
Ai deklaroi se listat e hapura i kërkon vetëm opozita parlamentare, ndërsa PD dhe PS nuk i duan ato.
Prej disa muajsh debatohet për Reformën Zgjedhore, debate apo mosmarrëveshje që duket se zhvillohen për të lënë të kuptohet se gara mes tyre është shumë e ashpër.
Madje refuzimi i Ilir Rusmjalit nga PD, emër i propozuar nga PS, si dhe heshtja pas zgjedhjes në krye të KQZ-së së Ilirjan Celibashit, njeriut kyç të procesit zgjedhor, pavarësisht Kodit apo sistemit për të cilin bëhet zhurmë aktualisht, është provë e qartë e një ujdie të kopsitur mirë nga dy partitë kryesore, para zgjedhjeve të 25 prillit.
“Halli i përbashkët të bashkon se dy parti janë në konflikt me njëri tjetrin për pushtetin. Por para një muaji e gjysmë donin të bënin qeveri të përbashkët që ta bënin mirë grupin anti-reformë. Por nuk i la ajo. Atëherë Rama doli me kod tjetër. Opozita parlamentare kërkon lista të hapura por nuk dalin këta me lista të hapura as njëra as tjetra”, tha Ngjela në Abc News.
I pyetur nëse ai do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit, Ngjela e ka lënë të hapur mundësinë për të kandiduar.
“Patjetër që kam ambicje, por ky është një ekuacion që do të shihet kur të vijë momenti. Por ambicien për t’u rikthyer në politikë e kam” – u shpreh Spartak Ngjela.
Më herët Spartak Ngjela pati pretenduar se një diplomat i huaj i kishte thënë se Edi Rama do t’ia dorëzojë Bashës postin e kryeministrit, sipas një marrëveshje të fshehtë mes tyre, pas 25 prillit.
Edi Rama pas një pauze, do të kthehet më tej, për të marrë postin e Presidentit, teksa do të propozohet nga PS dhe do të miratohet edhe me votat e PD-së, si shenjë e një mirëkuptimi mes palëve politike.
/NOA.al