Loading...

Meta provokon Ramën: ‘O buburrec, ca do bësh me Pezën dhe Abazin’

Nuk ka të ndalur lufta Meta-Rama, aq sa ka kaluar në plan të dytë polemikat mes mazhorancës dhe opozitës.

Edhe orët e fundit ka një mori përplasjesh mes palëve. Meta publikoi disa pyetje për afera korruptive që Alfred Peza i ka drejtuar Karlo Bolinos, pronar i Report Tv.

Njëkohësisht publikoi dhe një email të deputetit socialist Sadri Abazi që kërkonte të ndërhyhej për të punësuar pjesëtar të familjes së një gazetari të Report Tv.

Në këtë vorbull, Kryeministri Edi Rama mori sot në mbrojtje pronarin e Report Tv dhe bashkëshorten e tij duke kritikuar Presidentin për sulme ndaj çiftit mediatik.

“Sulmi skandaloz i Ilir Metës mbi Alba Malltezin, bashkëshorten e Carlo Bollinos, është një tjetër zhytje e presidentit të republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit, antishtetit!”, thotë Rama në një deklaratë që bëri publike pak më parë.

Ndërsa i drejtohet plot mllef Metës, kur shton: “Çfarë dreqin do akoma nga Shqipëria ky njeri që ka marrë më shumë se kushdo në historinë e saj!”.

Duke iu rikthye italianit Bolino dhe gruas së tij, Rama thotë se Meta nuk duhet dhe nuk mund të kërkojë llogari për paratë e tyre.

“I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t’i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre!”.

Pak pas Ramës, reagoi Presidenca duke e provokuar keqas Ramën: “O Buburrec Trendi, a janë anëtarë të “Rilindjes” z.Alfred Peza dhe z.Sadri Abazi?”.

Më tej Presidenca thekson: “A është z.Peza, Sekretar i PS për Mediat apo e ke shkarkuar? A është z.Abazi deputet i PS apo e ke përjashtuar?

Nëse pyetjet dhe email e tyre ti i konsideron sulme dhe nëse të ka mbetur një fije morali: Shkarkoji urgjent nga detyrat që u ke ngarkuar dhe kërko falje publikisht!”.

Meta bën edhe një zbulim. Ai thotë se Rama po i dërgon materiale diskretituar dhe shton: “Mos e mbaj Malavitën nën shantazh të dyfishtë! Dhe as mos na ço më korrierët e tu, e di mirë ti se kush janë, për të na dhënë të tjera materiale demaskuese! Na mjaftojnë ato që kemi!” /noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com