Kryeministri Edi Rama iu përgjigj Presidentit amerikan Donald Trump, pas letrës së tij, ku kërkonte zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Izrael, për në Jeruzalem.
Nga konferenca për media pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë me Kosovën, ai tha se vendimet merren në raport me të mirat e Shqipërisë dhe se në politikën e jashtme Shqipëria është e linjëzuar me Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë tha se marrëdhëniet me Izraelin kanë qenë dhe janë të shkëlqyera, por sa i përket temës së ambasadës mbetet në linjë me BE.
“Shqipëria është vendi që ka patur më shumë hebrenj pas luftës se sa para luftës, i vetmi në Europë. Është vendi ku hebrenjtë kanë gjetur strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve. Shqipëria është vendi që ka jo vetëm një lidhje të vjetër historike me Izraelin, por edhe një respekt të madh për Izraelin. Por Shqipëria, në politikën e jashtme, në këtë aspekt, është komplet e linjëzuar me Bashkimin Europian”, deklaroi Rama, duke refuzuar propozimin e Trump për zhvendosjen e të gjithë ambasadave në Jeruzalem.