Loading...

Ish-drejtoresha kapet duke marrë lekë në zyrë dhe kërkoi vetë të dënohej, habit gjykata: E pafajshme

Një ish-drejtoreshë, e cila u kap nga kamerat e “Fiks Fare” në Top Channel, duke marrë lekë në zyrë, ka kërkuar të dënohet nga gjykata.

Por, kjo e fundit, e ka shpallur të pafajshme! Çudia ka ndodhur në Gjykatën e Korçës, ku kryesuesja e trupit gjykues Flojera Davidhi ka shpallur të pafajshme ish-kryeregjistruesen e Hipotekës së Bilishtit Valbona Beshi.

Në vitin 2018, emisioni “Fiks fare” trajtoi një problematikë në hipotekën e Bilishtit. Në atë kohë, denoncuesi Gëzim Agastra ankohej për zonjën Beshi.

Sipas denoncimit, kjo zyrtare e kishte sorollatur këtë qytetar për vite me radhë. “Kam vajtur në Hipotekën e Bilishtit që më 2015 dhe sot, kanë kaluar dy drejtorë dhe në pronën time më del mangut 3 mijë e 100 e 40 metra. Kam takuar në Hipotekë një Valbona, i kam thënë nuk të kërkoj tokë, vetëm ta certifikoj. Më ka thënë pa marrë inxhinier nuk zgjidhet kjo punë. Dhe inxhinier ishte burri i saj, një Gazi Beshi” tha Gëzimi në vitin 2018.

Emisioni “Fiks Fare” faktoi me zë dhe figurë këto sorollatje, madje në një moment, zonja Valbona Beshi, brenda zyrave të shtetit, i merr një shumë prej 200 mijë lekësh denoncuesit në vitin 2018. Menjëherë pas denoncimit, Prokuroria e Korçës filloi procedimin penal ndaj zonjës Valbona Beshi, e cila u mor e pandehur dhe u dërgua për gjykim në Gjykatën e Korçës.

Në këtë gjykatë, vijoi një proces i rregullt penal, ku u paraqitën faktet e prokurorisë por edhe pretendimet e mbrojtjes. Prokuroria ka kërkuar dënimin fajtor të zonjës Valbona Beshi dhe dënimin e saj me 2 vjet burg me akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Pretendimet e mbrojtjes i ka bërë avokati Ermir Skënderi, i cili ka kërkuar; kërkojmë zbatimin e nenit 53 të Kodit Penal, uljen e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji sepse e mbrojtura prej meje paraqet shkallë të ulët të rrezikshmërisë shoqërore, janë një sërë elementësh lehtësues, paraqitet e padënuar dhe më konkretisht të dënohet me 1 vit burg!

Emisioni “Fiks Fare” siguroi audion e këtij procesi gjyqësor, ku avokati pranon se klientja e tij ka shkelur ligjin. “Fakti që ajo pjesë që është transmetuar në emisionin Fiks Fare, ne ndjejmë përgjegjësi” thotë avokati, që shton se, “qëndrimi pohues dhe pendues i të mbrojturës prej meje”. Pra, avokati dhe zonja Valbona Beshi kanë pranuar fajin. “Kam shkuar në të gjitha seancat gjyqësore se më ka ardhur fletëthirrja. Nga gjyqtarët s’më ka marrë asnjëherë në pyetje. Në shkallë të parë, Beshi kërkoi gjykim të shkurtuar. Avokati kërkoi uljen e dënimit, pranuan për 1 vit” thotë ai.

Por, çfarë ka ndodhur më tej?! Megjithëse avokati kërkoi dënimin e klientes së tij me 1 vit burg, por edhe prokuroria kërkoi të dënohet me 2 vjet burg, kjo gjykatë e ka shpallur të pafajshme zonjës valbona Beshi! Gjyqtarja Flojera Davidhi pretendon se faktet e prokurorisë nuk përbëjnë vepër penale. Ajo pohon se shkelja mund të jetë administrative, etike, por jo vepër penale! “Mori pafajësinë, bile kërkoi edhe kthimin e shumës prej 1 milionë lekësh si garanci që kishte vënë zonja, u shpall e pafajshme. Gjykata e Apelit, të njëjtin veprim, e la në fuqi, të pafajshme. Me arsyetimin se ska vepër penale, s’ka korrupsion pasiv” thotë Gëzimi.

Po kush është fajtori? I vetmi fajtor mbeti qytetari Gëzim Agastra, i cili u end në dyert e gjykatave dhe tani po endet në dyert e Kadastrës, pasi ende nuk e ka regjistruar pronën! “Në gjyq s’kam lënë seancë pa shkuar. Njëherë s’paraqitej avokati, njëherë kjo, njëherë gjyqtari. Në fund më thanë ti pse vjen. Po fletëthirrja shkruan se mosparaqitja përbën shkak për ndjekjen penale. Të futem brënda unë? Kam shkuar gjithmonë. Deri sot plasa, s’vete dot më” thotë Gëzimi, ndërsa shton se, edhe pas dy vitesh, sërish nuk e ka regjistruar dot pronën, pasi Hipoteka i pohon se kërkon vendimin e Gjykatës së Korçës.

“Po vete 2 muaj akoma s’ka dalë vendimi i zbardhur. Më thonë shko e merre vendimin e gjyqit. Gjykata më thotë të hapësh një padi civile ndaj hipotekës. Të hap gjyq unë për së dyti, kur unë i kam të gjitha dokumentet e rregullta. Leqë zgjidhje s’kam marrë, por edhe ato certifikata mi morën dhe tani janë në Hipotekë. Tani të bëj padi civile ta hedh në gjyq Hipotekën, e ka fajin vetë personelin. Po se ka fajin ajo, le të mbetem unë” përfundon Gëzimi.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com