Në përfundim të seancës plenare të ditës së sotme, teksa kryeministri Edi Rama po fliste për gazetarët, disa të bërtitura nisën të dëgjohen nga jashtë Kuvendit. Ishte pikërisht një grua që shprehte mospëlqimin e saj për kryeministrin duke thënë: “Rama ik, o hajdut, o kriminel, o drogaxhi”.
Por Rama nuk e ndërpreu në asnjë moment fjalën e tij para gazetarëve ndërsa ndërhyri menjëherë garda për ta larguar nga ambientet jashtë Kuvendit. Ndërsa kryeministri vijoi të deklaronte me qetësi për mediat se i kishte mbetur pa përgjigje pyetja se çfarë borxhi i kanë më shqiptarët Ilir Metës.
Gruaja e cila u shoqërua për në komisariat mesohet se quhet Violeta Gecaj, e cila në një lidhje të drejtpërdrejt për FaxNews, ka deklaruar të dhëna trondítëse mbi keqtrajtimin e saj nga unoformat blu. Sipas saj policët e kanë dhunuar duke i lënë shenja në trup. Në momentin që ajo ka dashur t’i denoncojë, komisariati nr.1 në Tiranë nuk e ka pranuar deponimin e saj si dhe ka penguar mjekësinë ligjore të bëjë punen e saj për zbardhjen e ngjarjes.
“Janë jashtë çdo lloj rregulli jashtë çdo lloj profesionalizmi. I kam unë shenjat në trup dhe hematomat që më kanë bërë policët e shtetit. Unë protestova për hallet e mia ekonomike, jemi të papunë, jemi të pa strehë, kam qeranë pa paguar dhe mund të më nxjerrë pronari jashtë.
Kam një fëmijë të aksidentuar të cilin më duhet ta operoj. Kam shkrujt në portalin e bashkëqeverisjes, kam shku te zyra e punës, por askush nuk më jep zgjidhje. Pse duhet të shoqërohesh dhe të dhunohesh kur po flet dhe proteston për hallet e tua ekonomike.
Në komisariatin numër 1 nuk më marrin dëshminë për dhunën që kanë ushtruar policët e shtetit. Pse unë thashë Rama ik më kanë marrë dhe më kanë tërhequr zvarrë, gjithë Tirana e ka parë këtë”, tha Gecaj.