Nëse poeti dhe shkrimtari i madh Dritëro Agolli do të jetonte sot, ai do të festonte 89-vjetorin e lindjes.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.
Ai ka dhënë një kontribut të madh në krijimin e traditës së re të letërsisë Shqiptare duke hyrë që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera.
Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë .
Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku.
Siç e shohim Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe.
Shkrimtar i madh i një “vendi të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.
Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një sëmundje kronike në mushkri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.