Pse socialistët e vërtetë nuk përfaqësohen më nga Partia Socialiste dhe si “klani rilindas” e ka keqpërdorur pushtetin për interesa të ngushtë.
Ish-drejtoresha dhe zv.ministrja e PS-së në një intervistë për MAPO sqaron arsyet e largimit nga kjo parti drejt LSI-së.
Ardhja në pushtet e PS-së në 2013-ën me moton e rilindjes së vendit solli dhe një grup të rinjsh e të rejash që u emëruan në detyra të rëndësishme të administratës. Një prej tyre ishte Briseida Shehaj e cila kishte milituar në këtë parti që prej vitit 2000 dhe vinte nga një eksperiencë pune në sektorin bankar. Ajo u emërua drejtoreshë e Tatimeve në një kohë kur Elisa Spiropali u emërua drejtoreshë e Doganave.
Po ndërsa Spiropali vijoi karrierën politike dhe sot shihet si një ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama si pjesë e kabinetit të tij qeveritar, Shehaj u tërhoq nga angazhimi i saj politik 3 vite më vonë. Ajo dha dorëheqjen nga detyra e dytë që i caktoi Rama si zv.ministre e Ekonomisë vetëm 2 muaj pas emërimit, duke vijuar karrierën e saj në sektorin privat dhe larg prozhektorëve të politikës.
Shehaj ka tërhequr sërish vëmendjen e medias me rikthimin në politikë, tani jo më në PS, por në LSI, parti që u krijua nga Ilir Meta në vitin 2004 pas përplasjeve brenda PS-së.
Shehaj, ka pohuar arsyet e këtij kapërcimi me zhgënjimin e saj me partinë në pushtet, për keqqeverisjen dhe largimin e saj nga principet e majta që ka në bazën e ideologjisë së saj PS-ja.
Në një intervistë për gazetën MAPO, Shehaj thotë se PS-ja erdhi në pushtet nga socialistët, por pushteti u keqpërdor nga “klani rilindas”, siç etiketohen prej vitesh tashmë bashkëpunëtorët e Ramës. Më tej ajo akuzon qeverinë aktuale se e ka rrënuar ekonominë me kontratat e PPP-ve dhe thotë se vendi nga pikëpamja ekonomike është një “pacient në fazën terminale në urgjencë” , të cilit nuk i duhen “kasapë”, por “mjekë të përgjegjshëm”.
Znj. Shehaj, pas një shkëputjeje nga administrata shtetërore, ku keni provuar pozicione me rëndësi si drejtoreshë e Tatimeve dhe më pas zv.ministre, jeni rikthyer në politikë, po këtë herë jo më pranë partisë ku keni milituar, PS-së, por LSI-së. Si erdhi ky vendim dhe pse zgjodhe LSI?
E nisim me një saktësim, ky nuk është rikthim në politikë, por vendimi im i parë për t’u marrë me politikë aktive. Si një shqiptare, që kam vendosur të jetoj e punoj në këtë vend, si qytetare e angazhuar, për mua 25 prilli nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por shpresa e fundit për Shqipërinë. Unë kam qenë e majtë, mbetem e majtë, kam bindjen e plotë se Shqipëria e varfër ka nevojë për një të majtë të vërtetë e në vend atë e përfaqëson tashmë vetëm LSI.
Nëse janë bindjet ideologjike që ju kanë udhëhequr në këto zgjedhje, çfarë ka LSI më socialiste se Partia Socialiste?
Për të qenë e saktë sërish, pyetja do duhej të ish çfarë e bën LSI-në më socialiste se Rilindja. Dhe Rilindja nuk ka asgjë socialiste. Partia Socialiste ishte thjesht mjeti i saj për të arritur qëllimin. Se cili qe ky qëllim mjafton të shihni me sy të lirë qendrën e Tiranës, shndërrimin e qytetit në një lavatriçe gjigante, që po ndot me vrull shqiptarët.
Ju jeni aktivizuar pranë strukturave socialiste që në rini, çfarë ndodhi që u zhgënjyet pikërisht kur kjo parti ishte në pushtet?
Unë jam rritur nga dy prindër të majtë, me kontribut të ndjerë e modest në Partinë Socialiste. Në vitet 2001-2002, Monika Kryemadhi, asokohe kryetare e Forumit Rinor ndikoi të ktheja bindjet e mia të majta në angazhim konkret. Dhe e mora seriozisht këtë përfshirje në strukturat e partisë, duke bërë rrugëtimin e plotë brenda saj në shumë funksione, si komisionere, numëruese, e deleguar në njësitë 1 dhe 3 në Tiranë, e deleguar në Kongresin e PS-së, anëtare e Asamblesë Kombëtare, pjesë e grupit të punës për ngritjen e Forumit të Gruas, koordinatore elektorale e njësisë nr.3, funksione, që i kam ushtruar deri në vitin 2017.
Arsyet e votës së jashtëzakonshme të vitit 2013 nisën të zhbëhen 3 vjet pas marrjes së pushtetit, premtimet me të cilat iu kërkua besimi shqiptarëve nuk po mbaheshin, karriera nisi të bëhej një mundësi, që varej nga afërsia me Rilindjen, ku puna e grupit, që kish karakterizuar këtë forcë në ditë me dhe pa pushtet, po zëvendësohej nga klanet brenda partisë. Klane që në vend t’u shërbenin shqiptarëve, sulmonin njëri-tjetrin deri në pikën “o me ne, o je armiku”. Kjo nuk qe më partia në emër të së cilës kërkuam votën, ndaj me bindje të plotë dhashë dorëheqjen kur Rilindja qe në kulmin e pushtetit. Kjo ngjan e paimagjinueshme për ata, që varkën e lënë zakonisht vetëm kur është duke u mbytur.
Flitet shpesh për një dualizëm brenda PS-së për Rilindjen, që nënkupton një grupim të ardhur rishtas në këtë parti pas ardhjes së Edi Ramës kryetar dhe socialistëve të vjetër, apo ai grupim që ruan akoma ato vlera me të cilat e gjejnë veten. A ekziston ky dualizëm? Dhe pas kaq vitesh a mund të themi se ka akoma socialistë brenda ‘Rilindjes’?
Socialistët e vërtetë, asetet e patjetërsueshme të kësaj force, janë ata, që sollën Partinë Socialiste në pushtet, pushtet që sot po e ushtron dhe keqpërdor Rilindja.
Vetëm para pak ditësh pamë një spektakël të çuditshëm në Asamblenë e PS-së, ku pas një fjalimi të gjatë të kryetarit, nuk u bë votimi i kryesisë së re, qëllimi pse ishte mbledhur ky forum. Po ta krahasosh këtë me KPD-në e dikurshme, ku debatohej dhe kishte garë, çfarë do të thotë për një socialiste si ju?
Socialistët e vërtetë janë mësuar me garën dhe konkurrencën. Rilindasit i frigohen garës dhe përballjes me socialistët. Nuk kam nguruar të flas si në struktura edhe publikisht për zhdukjen e institucionit të zgjedhjeve në këtë forcë politike. Kjo është humbja më e madhe për këtë forcë: shndërrimi i zgjedhjeve dhe garës në tabu.
Gjatë karrierës suaj në administratë pa dyshim detyra e Drejtoreshës së Tatimeve ka qenë domethënëse, si një njohëse e problemeve ekonomike, çfarë po ndodh sot me ekonominë e vendit, sa e rëndë është kriza për të cilën po flasin raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për të menaxhuar këtë situatë?
Sot Shqipëria është pacienti që ka mbërritur në fazën terminale në urgjencë. Duhen rikthyer parametrat jetikë në normalitet, zhbërja e investimeve abuzive, analizë në detaje e zbatimit të kontratave PPP, ato miliardëshe të AKSH-it, fokusimi në mbledhjen e të ardhurave, ku vetëm në 8 muajt e parë të vitit janë mbledhur 340 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Mirëkuptoj ndikimin e pandemisë në këtë situatë, por tatëpjeta kish nisur para saj.
Mjafton të shihen të ardhurat e mbledhura në vitin 2019 në raport me ato të arkëtuara në vitin 2018. Mjafton të shohësh zërin e TVSH-së për të kuptuar që investimet dhe miliardat e hedhura në PPP janë kthyer në skema të evazionit fiskal. Deri në atë pikë sa kompanitë blejnë pula dhe të brendshme e shesin beton. Qeveria duhet të kuptojë se miradministrimi nuk mund të jetë zhytja në borxhe në nivel rekord. Ne jemi një vend ku rritja ekonomike varet nga tekat e motit, bie a s’bie shi. Në fund të ditës këtij pacienti i duhen mjekë të përgjegjshëm dhe jo kasapë.
/NOA.al