Kryedemokrati Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit që pati sot me sipërmarrësish të mëdhenj të sektorit të mobilerisë në Nikël të Fushë-Krujës, deklaroi se Biznesi i madh i goditur nga keqqeverisja, taksat e larta dhe mungesa e ndihmës.
Basha diskutoi me sipërmarrësit planin me 5 pika të Rimëkëmbjes Ekonomike dhe ndihmën konkrete që ky plan i ofron biznesit drejtpërdrejt dhe konsumit në tërësi.
Ndër instrumentat e ndihmës që Basha përmendi në këtë komunikim me biznesin, ishin:
-Çeku prej 1000 euro për biznesin e vogël për 6 muajt e ardhshëm për të zbutur barrën e pagesave më urgjente;
-Vendosja e një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin dhe subvencionimi i çdo norme interesi mbi këtë nivel për kredimarrjet për investime dhe shpenzime operative.
-Zgjatja e afatit dhe zgjerimi i kritereve të përfitimit nga garancia sovrane në favor të një numri më të madh biznesesh prodhuese.
-Mbështetja e biznesit me një pagesë mujore prej 200 mijë lekësh për 6 muajt e ardhshëm për çdo punëtor që rimarrin në punë
-Pagesa mujore prej 160 mijë lekësh për çdo shqiptar që ka humbur punën dhe shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për çdo pensionist për 6 muajt e ardhshëm;
-Subvencionim i 50% të qirasë ose heqje e taksës së pronës për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj;
Ai shtoi se ky është plani për mbijetesën e biznesit deri me 25 prill, pasi sipas tij, vendi nuk është më i varfër, por vendi është i vjedhur.
Basha u zotua se programi i Opozitës nis me sipërmarrjen e vogël dhe të mesme.
“Ne kemi vënë në themel të programit taksën e sheshtë 9%. Biznesi prodhues dhe eksportues do të marrë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga qeveria e Partisë Demokratike, siç mbështetet prodhimi dhe eksporti në çdo vend të rajonit dhe Europës.
Shpirti i sipërmarrjes shqiptare e ka shpëtuar Shqipërinë në momentet e saj më të vështira. Jam i sigurt se me qeverinë e Partisë Demokratike në krahun tuaj, do të jeni shumë më mirë ju, punonjësit tuaj dhe e gjithë ekonomia”, tha Basha.