I drejtëpërdrejtë si gjithmonë, Arjan Çani iu përgjigj pyetjeve rreth personazheve kryesore politikë në vend, në një intervistë televizive mbrëmjen e djeshme.
Ai parashikon që Basha do të jetë kryeministër një ditë, por jo në një ardhme të shpejtë pasi sipas tij Rama merr edhe mandatin e tretë vitin e ardhshëm.
Çani thotë se “zgjedhjet inxhinierike” e pengojnë Bashën të jetë kryeministër pas 25 prillit 2021 dhe për këtë, parashikon sërish PS-në në pushtet.
Arjan Çani thotë se Berisha është personazhi më interesant që ka pasur ndonjëherë në emisionet e tij.
Çani gjatë intervistës analizoi Bashën dhe Metën, përballë Ramës, në betejën aktuale politike në vend:
Çfarë ke kundër Erion Velisë?
Unë nuk kam asgjë kundër.
Pse e quan Vilajet Qyrku?
Po më pyet për histori të para 10 viteve. Unë kam memorie shumë të dobët dhe nuk mbaj mend asgjë rreth këtij personazhi. As nga e kaluara as nga kjo e sotmja. Nuk më thotë gjë ai. Aq shumë s’më thotë sa nuk jam fare i vëmendshëm ndaj gjërave që ai bën.
Kush ka qenë personazhi më interesant në emision?
Në 18 vite emision personazhi më interesant është Sali Berisha. Është i ditur, di të dëgjojë, të të respektojë. Berisha është një nga klientët më interesantë dhe më të bukur të emisionit. Nuk e them politikisht, por realisht më intrigon. Ka një staturë që nuk e gjen në asnjë personazh tjetër.
Ku ndryshon nga zoti Basha?
Është tjetër gjë. Si nata me ditën.
Çfarë është Basha?
Basha është kryeministër i ardhshën. Nuk e di se kur, por ai do të jetë sepse i ka cilësitë për të qenë i tillë. Është një njeri që nuk i beson dot kollaj dhe për këtë do të bëhet kryeministër. Kur ai të thotë diçka ti nuk e beson dhe këtë e ka favor.
Edi Rama?
Është njeriu që njoh më shumë se të gjithë. Vonë e kam kuptuar që është një bullist i niveleve të larta.
Bullist është dikush që të nxin jetën, të përndjek, të thotë më të zezat, të cënon në pikat më të dobëta e bën fizikisht dhe shpirtërisht. Këtë doni të thoni për Edi Ramën?
Jo me mua çuditërisht, por me të gjithë dynjanë, me vartësit, gazetarët që nuk i njeh dhe do ti poshtërojë. Por duke qenë i tillë është dhe i talentuar.
Po pse është kaq i sukseshëm duke qenë bullist profesionist?
Sepse është mjeshtër i kukullave. Është trim dhe frikacak, është dhe naiv dhe i djallëzuar. Është i gjatë, por dhe di të bëhet dhe i shkurtër. Është dhe orator, por di të bëhet dhe batutaxhi. I ka të gjitha. Ka vetëm diçka që i mungon por që ndoshta nuk i hynë në punë. Është që qeveris gabim. Ky është gabimi më i madh por njerëzit mesaduket nuk e kanë këtë kriter kur votojnë.
Çfarë kriteri kanë njerëzit kur votojnë?
Shumica e njerëzve këtu pëlqejnë show-n dhe batutat dhe kjo është fatkeqësi e madhe
A do ia sigurojnë këto një mandat të tretë Ramës?
Jo vetëm ato (zgjedhjet 25 prillit). Ato (Batutat) e ndihmojnë. Unë them që ai po luan për një mandat të katërt.
Prandaj e thatë që Basha do bëhet kryeministër por pas shumë kohësh?
Jam i bindur që Basha do të bëhet, por jo tani dhe jo për faj të tij, por për shkak të inxhinierisë së votave që Rama ka ditur të prodhojë.
A do ta presë PD Bashën dhe dy mandate të tjera?
Nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm nëse del ndonjë gjeni që unë deri tani nuk e shoh. Sikur të bëheshin zgjedhjet e ndershme në Shqipëri e sigurtë që Basha do të fitonte, por këtu nuk bëhen zgjedhje të lira. Këtu bëhen zgjedhje inxhinierike. Ka një deformim, cënim, shumë bukur të rafinuar, që herë pas here lë dhe gjurmë si në zgjedhjet e kaluara.
Pse sherri është zhvendosur në trajektoren Rama-Meta. A është Meta i treti i pashmangshëm?
Meta është i pashmangshëm. Nuk arrij ta kuptoj pse ka nisur kaq herët ky konflikt. Me siguri do të ketë arsye më të thella se ato që dëgjojmë por që do të bëhen publike në javët apo muajt e ardhshëm.
A i ngjan vitit 2017?
Po, por atëherë Basha i binte Metës, tani nuk e di a do të shkojmë prapë në atë histori. Janë të hapura letrat. Mendoj se nl të gjitha rastet, Rama është më i fortë.
A do ta moderoje ti një debat Rama- Basha?
Jo! Ia kam lënë Fevziut këto gjëra. E para përtoj.
Nëse do t’ju zgjedhin ju?
Nëse do më zgjidhni patjetër, por që ti futem vetë që të punoj për këtë punë jo jo.
Basha e Meta kanë hedhur dorashkën e sfidës për debat, por Rama i shmanget Pse?
Me aq sa e njoh Ramën si karakter politik e profil, mendoj se Rama thellë-thellë jo vetëm që nuk do debat ), por nuk do të donte as opozitë. Fare. Rama i ka tmerr. Përton shumë të merret me kundërshtarin. Edhe kur e bën, e bën i detyruar se mendon se do të fitojë pikë. Në këtë rast ai është në pushtet dhe veçse humb në debat, ndërsa Meta e Basha nuk kanë çfarë të humbasin. Është strategji interesante kjo e zgjedhur nga Meta dhe Basha. Këto Rama i ka në disfavor. Në disfavor jo në zgjedhje se ato janë inxhinierike por në debatet që bëjnë në studio.
Çfarë ndodh më 26 prill?
Vazhdon jeta normalisht.
Le përshtypjen që Rama do të jetë fituesi?
Fatkeqësisht po. Unë do të votoj kundër tij, e kam thënë publikisht. Në historinë moderne të këtij vendi nuk ka rëndësi fare kush është i ndershëm dhe i mirë, e rëndësishme është kush është i fortë.
Përderisa amerikanët thanë se “5 qershori” nuk është prishur, ishte sinjal për ti thënë të gjatit “Jepi, ne ta dhamë viston”. Vetëm budallenjtë nuk e shikojnë, vetëm qorrat.
Amerikanët janë duke ndihmuar Ramën thua ti?
Indirekt po. Edhe Kim dhe Soreka e thanë që “5 qershori” nuk është prishur nga ky kod i ri zgjedhor. Pse e thanë? Mund të rrinin indiferentë, por i shkelën syrin dhe i thanë vazhdo. Duhet t’ia themi njerëzve disa të vërteta të thjeshtë: Këtu pritet shumë nga të huajt por harrojnë që të huajt në fakt bëjnë gjithmonë me më të fortin dhe jo demokratin. Kur shohin kush është më i fortë ata e respektojnë.
A do të mundet që populli të kuptojë?
Po ndodhi është diskutim tjetër. Por deri tani nuk shoh gjë.
A janë qëndrimet e të huajve, si ‘gishti i mesit të Boschardit”?
Unë uroj të gaboj, por sigurisht. Ata e dinë më mirë se të gjithë se këtu jemi në xhungël dhe në xhungël do të fitojë më i forti. Këtu shumica e njerëzve mendojnë se do na ndihmojnë të tjerët. Por kush të tjerë?!
/NOA.al