Fytyra e re e Policisë së Shtetit synon rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe rritjen e sigurisë publike.
Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të premten, nënvizon se shtimi me 500 vende në strukturën e Policisë, synimi i madh dhe i vetëm është të garantojmë rritjen e rendit dhe sigurisë publike
“Sot në Vlorë, në takim e tetë, prezantojmë skuadrën e re “Shqiponja të krijuar falë mbështetjes së qeverisë dhe në veçanti të Kryeministrit Rama e Ministrit të Brendshëm Lleshaj, që mundësuan shtimin me 500 vende në strukturën e Policisë, duke krijuar në çdo Drejtori Vendore, forcën e posaçme, si dhe shitnim në pikat e kalimit dhe në kufirin e gjelbër me vajza e djem të rinj”,- u shpreh Veliu.
Veliu theksoi se “kjo nuk është një reformë, kjo është Policia moderne që kemi filluar të bëjmë realitet së bashku me qytetarët”.
“Fytyra e re e Policisë së Shtetit, me këta të rinj e të reja, nuk është më ngjallja e frikës ndaj të gjithë qytetarëve, por bashkëpunimi me qytetarët e ndershëm në misionin e përbashkët për ta bërë shoqërinë dhe vendin më të sigurt, zhvillimin ekonomik, turizmin, ku veçoj potencialet e mëdha që ka gjithë zona e Vlorës në këtë aspekt.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, më kanë ardhur qindra mesazhe e telefonata nga qytetarë të ndryshëm, përfaqësues institucionesh, intelektuale të fushave të ndryshme, të cilët më kanë shprehur vlerësim për krijimin e kësaj force, pasi po krijon që në fillesat e saj një perceptim dhe opinion pozitiv në komunitet, por edhe duke më sugjeruar e bërë prezent shqetësimet e tyre”,- shtoi Veliu.
“Këto qindra mesazhe e telefonata të marra posaçërisht për “Shqiponjat”, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, më kanë inkurajuar, si Drejtor i Përgjithshëm që së bashku me drejtuesit e tjerë të Policisë dhe me mbështetjen e Ministrit të Brendshëm të punojmë më shumë e të gjejmë forma e metoda sa më efikase që çojnë në rritje të besimit të komunitetit te Policia, në rritje të parametrave të sigurisë dhe në goditje më të ashpër të krimit. Ky është shembulli më i mirë se siguria nuk mund të jetë sipërmarrje vetëm e policisë. Përkundrazi, është sipërmarrje e përbashkët e shoqërisë, qytetarëve, biznesit, shoqërisë civile, medias, institucioneve, drejtësisë, dhe sigurisht, me rolin specifik që luan Policia e Shtetit”,- tha Veliu.
Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se “bëhet fjalë për ndryshime në mënyrën e policimit në komunitet, struktura më efikase për të kontrolluar më mirë territorin dhe për t’iu shërbyer më mirë qytetarëve përmes shërbime online, trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë, pajisjen me bazë logjistike dhe në rinovim mbi 30 % të flotës së automjeteve, ripërtëritjen e moshës së Policisë. Janë mbi 2 mijë të reja e të rinj që i janë bashkuar Policisë së Shtetit”.
“Aktualisht jemi në një proces rekrutimi, i cili fillon ditën e mërkurë, në 16 shtator, me fazën e parë të testimit me shkrim. Në këtë fazë janë mbi 2 100 aplikantë – për 350 vende, çka tregon një interes të madh të të rinjve për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit”,- tha Veliu.
Kryepolici tha se Vlora paraqitet me parametra relativisht normal sa i takon sigurisë dhe rendit. “Është një qark me tendencë kriminale të trashëguar. Ndaj puna e Policisë pavarësisht sa efektive ka qenë, nuk është mbështetur gjithmonë nga gjyqësori ndër vite, çka ka bërë që shumë elemente kriminale të mos dënohen nga drejtësia e vjetër. Tashmë me krijimin e drejtësisë së re besojmë se do ketë një bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve hetimore, për të ndëshkuar me ligj ata që tentojnë të kryejnë krime ndaj personit, ndaj pronës, trafiqe të paligjshme dhe kultivim e trafikim të lëndëve narkotike. Pas Prokurorisë së posaçme, BKH është një garanci më shumë në këtë luftë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”,- tha Veliu.
“Strukturat që operojnë në Vlorë kanë përballuar me sukses luftën kundër kultivimit të kanabisit, sezonin turistik, ngarkesën e pandemisë, parandalimin e trafiqeve të paligjshme në rrugë detare, duke bashkëpunuar edhe me homologët Guardia di Finanza-s, si dhe në parandalimin dhe goditjen e krimit në përgjithësi”,- nënvizoi Veliu. /atsh