Pedagogu i Universitetit “Fan Noli”, në Korçë, Alket Dino është lënë në burg.
Masa e sigurisë “arrest me burg” i është dhënë edhe ndaj sekserit Xhevi Dervishi. Gjykata ka vlerësuar provat se pedagogu u ka marrë para studentëve, në këmbim të dhënies së notës kaluese, për provimet.
Ndërkohë që 35 vjeçari Xhevi Dervishi ishte “ura lidhëse” mes studentëve dhe pedagogut Alket Dino.
Pedagogut Alket Dino, i arrestuar tre ditë më parë për korrupsion, i është komunikuar sot masa nga gjykata.
Bashkë me pedagogun GJKKO vendosi masën ‘arrest me burg’ edhe për sekserin Xhevi Dervishi, i arrestuar në afërsi të Fakultetit me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët.
Seanca ka zgjatur për më shumë se 2 orë pasi avokatët e dy të arrestuarve kanë kërkuar kohë për t’u njohur me aktet dhe provat e paraqitura nga prokuroria
Nevzat Tarelli, avokati i pedagogut Alket Dino, tha për mediat se klienti i tij, ndryshe nga akuzat, nuk u kishte marrë para studentëve.
“Pedagogu është mbajtur për një muaj në përgjim, kohë kur është regjistruar procedimi penal nga SPAK dhe është arrestar në flagrancë. Dino u arrestua për shkak të një hetimi të filluar nga SPAK”, – tha avokati i tij mbrojtës, duke u shprehu se aq para i mban gjithsecili në xhep, madje akuza nuk provon korrupsionin.
Avokati tregoi se Dino dhe Dervishi u kapën nga agjenti i infiltruar.
/NOA.al