Loading...

Thirrje politikaneve: Bëjini Shqipërisë një nder: Në keni moral, fe, besim, rrënjë a mend, JINI NJEREZ të mirë para se të pretendoni se jeni edhe të zotë

OPINION – Nga EDLIRA Gjoni

Partia Socialiste nuk është streha e ëngjëjve apo e elitës së këtij vendi.

As Partia Demokratike nuk është shpëtimtarja që vetëm mos ardhtë në pushtet, se do i japë secilit shqiptar nga një ‘lugë floriri’ të hajë në detin që do bëhet kos.

Jo! Te Rilindja dalin mbi ujë arrogantët me stile acarues autoriteti për karrige që edhe vetë e dinë se nuk i meritojnë. Papërgjegjshmëri akute!

Tek PD notojnë mbi ujë e nën të hije pa identitet.

Të dyja mbajnë peng gati 60% të popullatës shqiptare që nuk del fare në votime, se nuk u bëjnë duart të votojnë as për njërën palë, as për tjetrën.

Ama në Partinë Socialiste ka njerëz me mendje, punë, përqasje, produkte, gjurmë e karakter të admirueshëm. Nuk i njihni, se nuk janë (më) në majë të ajsbergut rilindas. Vetë brenda llojit, u kanë hequr zërin. Figurën. Dinjitetin, për të cilin aq shumë kemi nevojë.

Te Partia Demokratike flitet për risi me të njëjtat emra që dëgjoja në radio e shihja në ekran kur mundohesha të kuptoja 1997-ën në Vlorë. Të njëjtët që erdhën në 2005-ën, por i larguan me frymë-çlirim në 2013-ën.

Ka shumë zonja e zotërinj të djathtë që kanë finesë në mendim, analizë, ligjërim publik, përkujdesje, fisnikëri, profesionalizëm e dashamirësi për vendin. As këta nuk i njihni, se edhe nëse kanë pasur zë, i kanë zhytur, anashkaluar e shpërfillur me amatorizëm.

Ndaj, nuk është problemi i qeverisjes së vendit PD-ja apo PS-ja. (lëvizjet e tjera politike, me meritë të plotë të tyre, nuk mund të merren në konsideratë).

Problemi është se modelet që promovojnë të dyja kahet janë të ulëta, demotivuese, çjerrëse, antishqiptare, abuzuese, narcize e të dëmshme. Oh sa të dëmshme!

Nuk është drama tek emrat e përveçëm, por tek sjellja e secilit, tek modeli që është mbjellë, ujitur e trashur në mënyrë kaq të rëndmotë, sa duket sikur po i zë vendit frymën.

Nuk duhen ndryshuar vetëm emrat, por edhe brenda emrave, modelet: Modeli i punës në secilin individ, majtas, djathtas e nga Hëna qoftë!

Modelin e përforcon partia ku aderohet, ama thelbin, karakterin, e ka secili të lindur, të mbrujtur e të gatuar që në vegjëli, deri në papjekuri, kur i kthehen vendit në bumerang.

Prandaj: jini njerëz për të qenë, para se të jeni militantë të dëmshëm e të rëndomtë, që mbani peng ç’ju vjen në dorë nga thesi publik!

Bëjini Shqipërisë një nder: Në keni moral, fe, besim, rrënjë a mend, JINI NJEREZ të mirë para se të pretendoni se jeni edhe të zotë!

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com