Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u gjend mbrëmjen e sotme në “Zonë e Lirë”.
Vetëm pak minuta pasi hyri në studio, Spiropali kërkoi që të fikej kondicioneri. Ajo i bëri vërejtje Arjan Çanit teksa i tha se nuk lejohet përdorimi i kondicionerit në kohë pandemie(!).
“Mund ta fikni pak kondicionerin? Nuk duhet përdorur në këtë kohë”, i tha Spiropali Çanit.
Në vijim, ministrja Spiropali dhe një i prezantuari nga Çani si analist, politolog dhe filozof, Arjan Çuri, kanë folur mbi situatën me të cilën po përballen njerëzit në vendin tonë.
“Ka në gjithë botën një rëndim të shëndetit mendor, edhe këtu. Nuk lidhet vetëm me Covid-19, lidhet dhe me keqqeverisjen, sidomos me varfërinë. Njeriu kur është shumë i varfër, shkon tek ai moment kur nuk ka çfarë të humbasi më”, – i tha Arjan Çuri ministres.
Spiropali reagoi kështu: “Shqiptarët janë të jashtëzakonshëm në kohë krizash. Funksionojnë mirë në kohë krizash, nga kriza krijojnë mundësi të reja. Mos ua qani aq shumë hallin shqiptarëve, në këtë studio. Punojnë shumë, eksportojnë, tregtojnë, ndërtojnë… Kanë bërë progres të jashtëzakonshëm. Realiteti është shumë ndryshe, e pranoj dhe realitetin tënd se është një realitet meditativ”, tha Spiropali.
/NOA.al