Deputetja Rudina Hajdari do të formojë një parti të re, jo me kolegët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, por me “Nisma Thurrje”.
Ish-deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila nuk iu përgjigj thirrjes së partisë për braktisjen e Kuvendit, ka qenë dhe mbetet deri tani pjesë e së ashtuquajturës “opozita e re parlamentare”.
Ajo konfirmoi sot se nuk do të jetë pjesë e partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare, që pritet të drejtohet nga Myslym Murrizi, por do të krijojë partinë e saj. Nuk dihet ende emri i partisë, apo detaje të tjera për të, por pritet që ajo të zyrtarizohet në ditët në vijim.
“Do të krijoj një parti të re, por jo me Myslim Murrizin. Kemi nisur mbledhjen e firmave për t’u regjistruar zyrtarisht. Javën tjetër nisim takime nëpër rrethe”, – u shpreh Rudina Hajdari për Report TV.
Ndërkohë, pak ditë më parë deputeti Halit Valteri zbuloi logon e partisë më të re, Lëvizja Demokratike Shqiptare, pjesë e së cilës është edhe ai vetë.
Kjo parti është krijuar nga grupi i deputetëve opozitarë të dalë nga listat e PD-së, por Rudina duket se e ka refuzuar edhe atë.
Ajo do të garojë me një parti të re, në bashkëpunim me një grup të rinjsh, të cilët pretendojnë se i përkasin shoqërisë civile, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, për të cilat nuk është përcaktuar ende një datë zgjedhjesh.
Opozita kërkon 18 prillin, ndërsa PS-ja kërkon që zgjedhjet të zhvillohen në çdo datë, përveç 2 majit.
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot përfaqësuesit e partive kryesore, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
/NOA.al