“Lulzim Basha është shalqin me provë!” Kështu tha Kryeministri Edi Rama, lidhur me planet e rimëkëmbjes së prezantuara ditën e sotme nga kryedemokrati Lulzim Basha, përballë krizës së koronavirusit.
Sipas tij, kreu i opozitës është “i pangrënshëm”, duke thënë se nuk është i ardhur nga Hëna, po ka qenë në provë disa herë dhe se shkuarja në ekstrem me propozime të ashtuquajtura platforma alternative është shprehje e një mungese serioziteti e provuar.
“Larg qoftë të kishte ndodhur që flama e COVID-it ta kishte gjetur këtë vend me atë kandidatin dhe me klubin e opozitës së bashkuar në këtë vend, të gjente spitalet që e gjetëm ne, shërbimet shëndetësore, kapacitetet profesionale kur na besuan shqiptarë. Kujtoni atë kohë për të kuptuar që kjo nuk është një betejë mes nesh dhe atyre, apo mes meje dhe shalqinit me provë që është në krye të opozitës, por është betejë e jona me vetveten dhe kohën”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se kur e sheh se e ka të pamundur të marrë atë që shpreson, “Lëshohet si Sudja dhe Vehbiu, kap ça të kapësh”, duke e krahasuar me drejtuesit e dy firmave piramidale. /noa.al