Loading...

Punët e bëra në këto tetë vite, karta më e fortë e PS-së në garën e ardhshme elektorale

Karta që opozita përdor si arsye, që pse duhet të humbi Partia Socialiste që ka 8 vite në pushtet, është karta më e fortë që ne kemi për të kërkuar mandatin e tretë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme elektorale”.

Kështu u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një intervistë televizive, ku theksoi se, “punët që kemi bërë në këto tetë vite, mënyra sesi jemi sjellë me qytetarët është karta më e fortë që kemi ne, në garën e ardhshme elektorale”.

“Në këtë kontekst, – vijoi ai, – nëse ne do të kishim abuzuar me të drejtën për të qeverisur Shqipërinë, pa dyshim do ta kishim të vështirë për të dalë në garë dhe për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës”.

“Do ta kishim të pamundur të dilnim në garë në rast se nuk do t’i kishim shërbyer qytetarëve nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes, kritikës dhe vetëkritikës që kemi pasur dhe përultësisë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarët dhe për të reaguar ndaj opinionit publik për problemet që ka pasur dhe për të ndërtuar politika që kanë ndihmuar përmirësimin e jetës së qytetarëve”, – u shpreh Klosi.

Duke u ndalur konkretisht në sektorin e turizmit, Klosi theksoi se “është një politikë e qartë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama dhe sot pas 8 viteve në pushtet jo vetëm kemi dyfishuar numrin e turistëve të huaj në Shqipëri, por kemi krijuar Shqipërinë destinacion të ri turistik. Pra në kuadër të një politike të caktuar, që në fakt njerëzit për atë të gjykojnë”.

Ai tha se, po afrohemi në fazën, që njerëzit të gjykojnë programin, të gjykojnë lidershipin.

“Nëse bëhet fjalë për politikën e turizmit, kemi bërë më të mirën e mundshme dhe 8 vitet e punës në këtë sektor na dëshmojnë se jemi pozitiv në rrugën e nisur. Për këtë të na gjykojnë qytetarët”, – nënvizoi Klosi.

Duke u ndalur në punën organizative të PS-së, ai shpjegoi se, “ndarja e drejtuesve politikë nëpër qarqe është detyrë që ka funksionuar gjithmonë në PS. Pra PS forcën e saj e ka te organizimi, krahas programit, punës konkrete, lidershipit, bashkëpunimit me qytetarët”.

“Mbi këtë forcë ne fillojmë fushatën prej kohësh dhe jemi pa pushim pranë qytetarit dhe zhvillimin e punëve në dobi të tyre”, – tha Klosi.

Klosi u shpreh se, “në të gjithë strukturën e saj PS është e suksesshme sepse gjeneratat bëjnë pjesë së bashku. PS ka një kombinim ciklesh dhe vlerash të bazuar mbi një program, mbi një filozofi dhe me njerëz që punojnë për të çuar realitete në të mirë të qytetarëve”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com