Loading...

Njoftim per ndarje nga jeta te Enver…

NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TE ENVER STRATIT.
Kryesia e Shoqatës Kallarati njofton bashkëfshatarët e saj se, sot në Tiranë u nda nga jeta në moshën 90 vjeçare, veterani Enver Dule STRATI.
Varrimi datë 11.09.2020. Homazhet për përcjelljen e tij do të bëhen në orën 12:00 te Hotel “Internacional” prapa ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tiranë.
Enveri u lind më 29 prill 1930 në Kallarat, në një familje të varfër, por me ndjenja të theksuara patriotike dhe liridashëse. Ai u rrit dhe edukua nga prindërit e tij po më ndjenjat patriotike. Pushtimi fashist e gjeti në Qishbardhë–Xhyerinë, ku jetonte me bagëti familja e tij. Gjatë Luftës Antifashiste, megjithëse i vogël, u aktivizua si korrier për marrjen e trakteve dhe komunikatave në Vlorë. Për 43 vjet rresht punoi me përkushtim e devotshmëri në sektorë të ndryshëm të pushtetit, partisë dhe të ekonomisë në Vlorë e Fier.
Enveri së bashku me bashkëshorten Hanushen lindën, rritën, edukuan e arsimuar pesë djem të denjë për familjen dhe shoqërinë.
Më 1990 Enveri doli në pension, por për asnjë çast nuk e ndërpreu aktivitetin e tij patriotik dhe shoqëror. Enveri ka dhënë një kontribut mjaft të vlerësuar për vendlindjen, Kallaratin. Ai ishte një nga aktivistët më të shquar të shoqatës Kallarati e gazetës së saj dhe në mënyrë të veçantë të degës së Fierit fillimisht e vitet e fundit asaj të Tiranës.
Enveri gjithashtu ka kontribuar edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Dega Fier dhe Tiranë.
Me pasion e këmbëngulje për të lënë kujtim pasardhesve të familjes dhe në përgjithësi kallaratasve diçka nga jeta dhe historiku i familjes, por edhe i fshatit, ku u lind, ai në vitin 2010 botoi librin “Historiku i Kallaratit”.
Libri “Historiku i Kallaratit”, do të jetë një kujtim dhe thesar i paçmuar që Enveri u la gjithë kallaratasve, pasi aty secili mëson të kaluarën e fshatit, kontributin për liri, çlirim kombëtar e demokraci në periudha të ndryshme të historisë, përbërjen e mëhallave të fshatit, figura të shquara të kulturës, sportit, zhvillimin ekonomik të kohës së kooperativës bujqësore dhe atë të sektorit privat, marrëdhëniet me fshatrat fqinj, etj.
Kryesia e Shoqatës Kallarati i shpreh bashkëshortes Anushes dhe fëmijëve, Besnikut, Arturit, Viktorit, Agronit dhe Kastriotit ngushëllimet më të sinqerta dhe pamundësinë e pjesëmarrjes në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, për shkak të respektimit të kufizimeve ndaj epidemisë së koronaviruesit!
U prehsh në Paqe!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com