Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha sonte se ajo nuk aspiron për kryeministre të vendit pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ajo thotë se është Basha ai që do marrë këtë post vitin e ardhshëm, pasi opozita është e bindur se do të fitojë zgjedhjet.
“Lulzim Basha është kandidati i opozitës së bashkuar për kryeministër. Ai është kryetari i opozitës, ai do jetë kryeministër,” tha zonja Kryemadhi.
Ajo i quajti thashetheme rrugësh lajmet se Ilir Meta do të lërë presidencën dhe do të marrë postin e kryeministrit.
Por ajo nuk e rrëzoi mundësinë që Ilir Meta të marrë postin e ministrit të Brendshëm.
“Po e pati qejf Ilir Meta…,” tha ajo, duke shtuar se kjo është çështje e marrëveshjeve politike.
Kryemadhi foli për doza dashurie mes Bashës dhe Metës, ndërsa tha se më të mirë se Basha nuk ka.
Sipas saj, sondazhet tregojnë se opozita fiton mbi 100 deputetë në këto zgjedhje.