Loading...

Meta: Koha që të dëgjohet zëri i qytetarëve

Presidenti Ilir Meta citon mesazhin e Papa Françeskut, drejtuar qeverisë, për të dëgjuar zërin e qytetarëve.

Kreu i shtetit thotë se solidarizohet me mesazhin e mençur të Papa Françeskut drejtuar qeverive ndaj të cilave protestohet, që ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, sidomos atyre që janë më në nevojë e kushte më të vështira, dhe t’i mbështesin aspiratat e tyre të drejta.

“Koha që zëri i qytetarëve të dëgjohet nga të gjithë!”, shkruan Meta, duke ndarë shkrimin që gjeni më poshtë.

Papa: protestat të jenë paqësore, të dëgjohet zëri i qytetarëve

Vështirësitë e shumë njerëzve, në të katër anët e botës, janë gjithnjë në zemrën e Papës. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek “manifestimet e shumta popullore të protestës, që shprehin pakënaqësinë e shoqërisë civile përballë situatave politike e shoqërore posaçërisht kritike:

“Ndërsa i nxis demonstruesit t’i paraqesin kërkesat e tyre në formë paqësore, pa rënë në tundimin e agresivitetit e të dhunës, u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi publike e qeveritare ta dëgjojnë zërin e bashkëqytetarëve të tyre e t’i mbështesin aspiratat e tyre të drejta, duke respektuar plotësisht të drejtën njerëzore dhe liritë civile”.

Françesku iu drejtua edhe bashkësive kishtare, të cilat jetojnë në këto rrethana, që barinjtë “të punojnë në favor të dialogut e në favor të pajtimit”.

Strehim dinjitoz!

Papa mendon për ngjarjet që po ndodhin në Kampin e Moria, në ishullin Lesbo, të përfshirë nga zjarret. Flakë, që lanë mijëra njerëz pa strehë, ndonëse strehë të përkohshme. E rikujtoi vizitën e tij të vitit 2016:

“Është gjithnjë e freskët në kujtesën time vizita e kryer atje e thirrja e bërë, së bashku me Patrikun Ekumenik Bartolomeu dhe Kryepeshkopin Hieronymos të Athinës, për t’u siguruar strehim njerëzor e dinjitoz grave e burrave migrantë, refugjatëve, të gjithë atyre, që kërkojnë strehim politik në Evropë. U shpreh solidaritetin e afërsinë viktimave të këtyre ngjarjeve dramatike”.

Ndihma për Tokën Shenjte

Në të dielën kushtuar Lëmoshës për Tokën Shenjte – shtyrë nga e Premtja e Madhe – për sot – nga shkaku i pandemisë, Papa nënvizoi rëndësinë e një gjesti konkret në këtë çast, kur në trojet e Krishtit ka kaq shumë nevojë për ndihmë të gjithanshme:

“Në rrethanat aktuale, kjo ndihmë është më shumë se kurrë shenjë shprese e afërsie solidare për të krishterët, që banojnë në tokën ku Zoti u bë njeri, vdiq e u ngjall për ne. Sot kryejmë një shtegtim shpirtëror, me imagjinatë, me zemër, në Jeruzalem ku, siç na kujton Psalmi, janë burimet tona, e bëjmë një gjest solidariteti për këto bashkësi”.

Së fundi, një mendim për çiklistët e sëmurë nga parkinsoni, që e përshkuan Udhën francigjene nga Pavia – në Romë; për bashkësitë “Laudato si’”, që kujdesen për Krijimin e për familjet italiane, që në gusht iu kushtuan mikpritjes së shtegtarëve.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com