Loading...

‘Kemi mundur ta heqim mësuesin nga kthetrat e politikës’/ Shkolla e drejtorëve ka nisur të funksionojë, nisin kualifikimet e para

Kryeministri Rama deklaroi në takimin e mbajtur sot me mësuesit të cilët realizuan përfundimin e vitit të kaluar shkollor përmes mësimdhënies online se shkolla e drejtorëve ka nisur të funksionojë dhe se po kryhen kualifikimet e para.

Rama shpjegoi ndër të tjera se përmes këtij procesi, mësuesi do të shpëtojë edhe nga kthetrat e politikës teksa drejtuesi i shkollës do të zgjidhet mbi bazën e meritës.

“Dua të nënvizoj edhe një aspekt tjetër besoj që ju e keni parasysh. Ne po bëjmë një proces të rëndësishëm tani në implementimin e punës e programit të shkollës së drejtorëve për të rritur nivelin e drejtimit të shkollave, për të krijuar një tjetër profil dhe tjetër qasje në aspektin e drejtimit të shkollës, që është diçka shumë më komplekse sesa duket nga pikëpamja e parë apo me ç’jemi mësuar. Shkolla e drejtorëve ka filluar të funksionojë. Kanë filluar kualifikimet e para dhe ne kemi besim shumë tek ai proces. Më vjen mirë që sidoqoftë dhe këtë gjë mund ta konfirmojnë edhe mësuesit masivisht, që kemi mundur ta heqim mësuesin të paktën nga kthetrat e politikës të promovimit klientelist të mësuesve. Kemi garantuar që mësuesit nuk hiqen kështu siç fryn era, nuk merren dhe të hidhen nga një zonë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën sipas erës politike, tarafeve apo rryshfeteve”, tha Rama.

Më tej, ai shtoi se “portali tanimë është komplet i konsoliduar dhe na jep garanci të madhe që rekrutimi dhe promovimi i mësuesve bëhet mbi baza shumë objektive”.

“Natyrisht që e mira nuk ka fund dhe duhet përsosur më tutje por për mua është shumë e rëndësishme që në këto vite është arritur të mbyllet një plagë shumë e madhe që ishte plaga e politizimit ekstrem të politikës së kuadrit mësimdhënës edhe të frenohen pasojat e kësaj që binin mbi gra, nëna baballarë që papritur e pa kujtuar e gjenin veten të hedhur nga vendi i punës apo edhe mbi mësuesit e kalibrit siç jeni ju që detyroheshit papritur e pa kujtuar të gjendeshit në një krah me një koleg apo kolege që nuk kishte fare lidhje me atë punë dhe kishte ardhur thjesht si rezultat i asaj rruge të mbrapshtë të punësimit të mësuesve’’, u shpreh kryeministri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com