Loading...

Historia e mësueses shqiptare që bëri ëndrrën realitet/ Nga Përmeti i vogël drejt Kinës së madhe

Nga ZHAKLIN LEKATARI

Në Living është e zakonshme të lexosh artikuj mbi shëndetin, prindërimin, fëmijët, stilin e jetesës dhe çdo vlerë tjetër pozitive. Prandaj nuk është habi kur personazhe të famshme, por dhe më pak të famshme bëhen protagonistë duke ndarë me ne pasionet dhe dashuritë e tyre, si për të na frymëzuar më shumë të jetojmë një jetë të bukur. I tillë është dhe rasti i Varo Meshinit, një vajzë e re nga Përmeti, e cila përpos emrit të veçantë, kujtim nga gjyshja që quhej Varvara) të veçanta ka dhe zgjedhjet në jetë.
Varo ka mbaruar studimet për psikologji-sociologji në ‘’Universitetin e Durrësi’’t dhe më pas ka vazhduar masterin shkencor për punë sociale. Pas përfundimit të shkollimit ajo ka filluar të punojë dhe të mbledhë para për të realizuar ëndrrën e saj më të madhe, udhëtimin dhe zbulimin e kulturave të reja. Kështu pas disa eksperiencave profesionale dhe mbasi mblodhi shumën e nevojshme, Varo nisi udhëtimin e saj në Kinë, vend në të cilin jeton prej 1 viti e gjysmë. Ajo ka një dëshirë të jashtëzakonshme të flasë për eksperiencat kulturore dhe për shkëmbimin e ideve, energjive, por dhe traditave të ndryshme. Ndonëse jeton në anën tjetër të botës, në një vend shumë të zhvilluar nga ana teknologjike, ajo e gjeti veten menjëherë në provincën Jiangxi.
U përshtat shumë shpejt dhe se sipas saj ndryshimet ishin të vogla, edhe në krahasim me një vend si i yni. Varo është mësuese dhe jeta e saj ndahet midis angazhimeve dhe përgatitjes për punë dhe më pas kohës së lirë. Orari i një mësueseje në Kinë është i gjatë, dita e mësimit aty përfundon në orën 16:00 me një pauzë prej dy orësh, që i lejon Varos të kthehet dhe të pushojë në shtëpinë e saj. Pasditja fluturon midis përgatitjeve për planin e ditës së nesërme, vrapit, blerjeve apo shëtitjeve me koleget kineze. Varo shprehet që jeta shoqërore në Kinë zhvillohet ndryshe, kjo për shkak të diferencës që kemi në traditën e pirjes së kafes. Aty njerëzit kohën e lirë e kalojnë duke shëtitur, duke ngrënë nëpër restorante, duke bërë blerje, ndërkohë që për të rinjtë ekzistojnë lokale më moderne me muzikë deri në orët e vona.

Kur shikon profilin e Varos e kupton shpejt që ajo ka një pasion për modën dhe për fotografinë, të cilin ka filluar të rizbulojë vitet e fundit kur dhe mundësitë financiare ishin më të mëdha. Ndonëse kujton me mall që në vegjëli sa herë që bliheshin veshje të reja, ajo angazhohej në kombinimet e tyre. Pandemia e gjeti Varon një Kinë, dhe duke përfituar nga momenti i përshtatshëm vendosi t’i dedikohej edhe më shumë këtij pasioni, duke kombinuar veshjet, duke gjetur vendin dhe dritën e duhur. Kur biseda jonë kthehet nga fashion-i, ajo më pohon që moda kineze nuk është aspak homogjene dhe që moshat e pjekura integrojnë gjithmonë element tradicionale në veshtjet e tyre. Ndërkohë që moshat e reja kanë një stil, shumë të ndryshëm nga ai evropian dhe ekspozimi i trupit nuk është aspak trend.

Sipas Varos, të rinjtë kinezë preferojnë veshje të gjera, të lirshme, dhe ekspozojnë vetëm këmbët. Sipas saj kinezët nuk i kushtojnë shumë rëndësi anës estetike, jo vetëm në dukjen e tyre, por dhe vetë qytetit. Ky është një problem për të që është në kërkim të këndeve të duhura, apo të vendit më pikant për foton e radhës. Zakonisht janë kolegët, miqtë apo personat me të cilët shoqërohet që angazhohen në shkrepje dhe gjetjen e fotos më të mirë.

Ushqimi në Kinë është elementi që sipas Varos është më larg traditës tonë ballkanase apo evropiane. Bukë, fast food, byreçka, pite, briosh, nuk janë ushqime që mund të gjeni në Kinë, ajo shton që dhe nëse do të ketë ndonjë pizza apo ndonjë panine ato kanë njëj shije të ëmbël sikurse të ishin ëmbëlsira. Kjo ka qenë pjesa më e vështirë e Varos, e cila tashmë ka mësuar të përdorë shkopinjtë dhe të shijojë ushqimin më tradicional, një Hot Pot apo një tenxhere me ujë të nxehtë që zien, ku ti mund të hedhësh në mënyrë të pavarur mishin ose perimet, dhe më pas t’i hash në pjatën tënde. Ushqimi tradicional kinez është shumë djegës, megjithatë ajo pohon që ushqimet kaq tradicionale konsumohen më shumë nga moshat e mëdha ndërkohë që të rinjtë preferojnë dhe ushqime më perëndimore.

E kur e pyes për shokun kulturor, ajo thotë që falë studimeve mendja e saj është universale dhe e hapur për të kuptuar dhe pranuar ndryshime, apo situata shumë larg realitetit shqiptar. Sigurisht që ajo është befasuar nga ndryshimet, por ka qenë e etur për të zbuluar sa më shumë për ta, mendimet e tyre dhe mënyrën e jetës. Kryesisht janë koleget e Varos, ato që i kanë treguar asaj për mënyrën e sjelljes në festa, apo evente, për sjellje specifike tradicionale që në fakt janë shumë larg kulturës tonë shqiptare, por dhe evropiane. Sigurisht që historia dhe e kaluara e një vendi ndikojnë në mënyrën e sjelljes dhe ajo pohon që dhe zakonet shqiptare duken mjaft të çuditshme dhe të veçanta në sytë e një kinezi. Kur e pyes për planet e ardhshme, ajo thotë që ndonëse e pëlqen shumë Azinë, ajo mendon që nuk është një vend ku një person evropian mund të jetojë një kohë të gjatë apo për të krijuar familje. Në Azi njerëzit janë moskokëçarës, ndërkohë që ne mendohemi më shumë dhe shqetësohemi më shumë.

Nga ana tjetër aziatikët nuk i shprehin emocionet e tyre, qofte pozitive qofte negative, shumë larg kulturës sonë të të ndjerit. Kina është një vend që të bën të ndihesh i sigurt, megjithatë Varo pohon që është mirë të informohesh mirë nëse do të jetosh në Kinë pikërisht për ndryshimet e mëdha, në ushqim, në orar, në mënyrën e jetesës. Këtë e thotë me bindje të plotë sidomos nëse shkon për marrëdhënie pune dhe jo për një pushim të gjatë. Ajo shton që ka njohur disa shqiptarë që janë kthyer pikërisht se nuk kishin arritur të përshtateshin me këtë kulturë të bukur, por shumë të ndryshme nga e jona. Pjesa e komunikimit është pak e vështirë, sepse përpos disa rajoneve dhe disa qyteteve më të mëdha, ku flitet anglisht në pjesën tjetër flitet kinezisht, që është një gjuhë e vështirë. Megjithatë ata janë të gatshëm të të ndihmojnë nëse e kuptojnë që ty të duhet diçka.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com