Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi mbrëmë në “Opinion” ish-kreun e SHIK, Fatos Klosi se ishte ai personi që nxori në pritë Azem Hajdarin, mbrëmjen e 14 shtatorit 1998, kur ish-deputeti demokrat u ekzekutua pranë selisë së vjetër të PD-së.
Fatos Klosi në një intervistë për “Abcnews” shprehet se Sali Berisha sa herë flet për atë çështje jep versione të ndryshme dhe i ngatërron gjërat. Ai pretendoi e Berisha ka dhënë deri tani 500 versione.
“Kam përshtypjen dhe frikë se ai po rrjedh” tha Klosi për Berishën. Në vijim, ish-kreu i SHIK rrëfeu të vërtetën, sipas tij, për ngjarjen. I pyetur nëse mendon se nga rigjykimi i Izet Haxhisë do të ketë surpriza, Klosi u shpreh pesimist. Ai foli edhe për rolin e ish-kryeministrit Fatos Nano në atë kohë dhe për gjithçka ai ishte në dijeni mbi ngjarjen.
Zoti Klosi, ju keni folur shumë për këtë ngjarje, çfarë komenti keni për prononcimin e Sali Berishës mbrëmë?
Është në vazhdën e mënyrave si e ka trajtuar ai. Ka thënë 500 versione deri tani.
Po mbrëmë çfarë ndryshoi?
Ai ndryshoi mbrëmë që tha që zbritën në aeroport, kur zbriti Nano e takuan, që unë kisha vajtur në Maqedoni për të siguruar arratisjen e kryeministrit në Maqedoni, që ndodhi pas dy ditësh, gjëra që janë absurde, nuk kanë asnjë kuptim.
Unë nuk e dija që kryeministri do të ikte. Nuk e di përse i bën këto gjëra. Thotë versione të reja. Kam përshtypjen dhe frikë se ai po rrjedh. I ngatërron gjërat, nuk mban mend çfarë ka thënë. Kurrë se ka thënë ndonjëherë që unë kam qenë në Bullgari apo Maqedoni atë natë, vetëm ka thënë se isha në Himarë, që nuk ishte e vërtetë, unë isha me të vërtetë jashtë vendit.
Kjo m’u duk e çuditshme që unë paskam shkuar në Maqedoni për të rregulluar largimin e Fatosit nga Tirana më datë 14 (shtator 1998), as e kemi imagjinuar që do të ndodhte kjo gjë. Atë ditë që ka ikur Fatosi në Maqedoni, as Presidenti, as ministri i Brendshëm dhe as unë nuk dinim gjë. E kemi marrë vesh vetëm të nesërmen kur hyri nga Maqedonia në Shqipëri. Nuk e di pse duhet të sajojë një njeri kaq i rëndësishëm sa ai, çudira, për të qenë sa herë që del në televizor interesant. Sa herë që del shpik ndonjë gjë të re.
Çfarë komenti keni për akuzën e Berishës që ju e paralajmëruat Azemin, por nuk e mbrojtët?
Jo! Jo! Shërbimi Informativ nuk merrte masa. Ishte Informativ, nuk kishte mundësi të merrte masa. Ne e kemi paralajmëruar Azemin përmes ministrisë së Brendshme, i çuam relacion dhe ministria e Brendshme, ministri ma ka pohuar vetë, se e kishte lajmëruar se e kishte shok Azemin.
Azemi e ishte falënderuar dhe i kishte thënë “Unë i kam marrë masat, por do të jem i kujdesshëm”. Gati një javë apo 10 ditë para në një nga televizionet ai e ka thënë këtë gjë dhe e ka falënderuar shërbimin. Për këtë janë edhe shkresat.
Sali Berisha mbrëmë la të kuptohet se nuk do të shkojë në gjykatë nëse do të thirret si dëshmitar…
Ai mund të bëjë ç’të dojë, por nuk varet prej tij. Ai ka qenë njeriu që vetëm pas 20 minutave që ndodhi ngjarja deklaroi me detaje se si, kush ishte, si ishte, çfarë bënë. Ai i dinte gjërat që përpara. Për këtë jam i bindur, s’kam fakte, se nuk mund ti di marrëdhëniet e brendshme në PD.
Di që bëri një deklaratë që e implikonte keq, kur as policia nuk ishte prononcuar. Ai doli dhe bëri një deklaratë. Gjë që e rëndon. Por figura e tij, unë e di që e kanë thirrur, jam i sigurt, por figura e tij, akoma ishte shumë i rëndësishëm dhe nuk e çuan deri në fund, uroj ta çojnë këtë radhë.
Nuk e di a është koha apo jo, se ky nuk është gjyqi i plotë.
Ju mendoni se dosja është zbardhur plotësisht?
Ekzekutorët janë zbardhur, por nuk kanë qenë ata që kanë vendosur. Kanë pasur pjesën e tyre, kanë qenë shumë të rëndësishëm, por edhe janë ndihmuar. Ky është problemi. Ata kanë qenë të rëndësishëm se ishin djem të zotë.
Nëse do ju thërrasin ju do të shkoni në gjykatë?
E kam deklaruar se do të shkoj. Sigurisht. Gjithçka që kam ditur, janë në shkresa që ia kemi çuar prokurorisë dhe policisë. Kemi bashkëpunuar fort me prokurorinë.
Për mua nuk është ezauruar si dosje. Edhe Berisha vetë ka thënë se nuk është ezauruar. Berisha ka thënë se kur të vijmë ne në pushtet do ta rihapim. Edhe mbrëmë ai tha e vrau shteti. Por është absurde ta mendosh. Shteti nuk kishte asnjë interes ta vriste.
Azemi për shtetin nuk ishte armik, përkundrazi PS-në e ndihmonte se kishte konflikt të brendshëm me Berishën. Edhe për mua, policinë dhe kryeministrin, që vendoste, SHISH është vartës i kryeministrit, nuk kishte asnjë kuptim që krijohej gjithë ajo zallamahi me vrasjen. Por kush e shfrytëzoi atë vrasje? E ka shfrytëzuar vetë Berisha. Po i lëmë faktet. Por arsyetimi logjik. Kujt i leverdiste. Kush përfitoi?
Keni shpresë se nga gjyqi mund të dalë diçka?
Jo! Nuk besoj. E shoh sa shumë u sorollatën që nga fakti që ai u kthye në Shqipëri dhe deri tani, dhe gjyqi nuk do të jetë për çështjen Hajdari, por implikimin e Izetit, që nuk ka qenë gjatë procesit gjyqësor, është gjykuar në mungesë.
Izeti ka thirrur dëshmitarë, që mbase në deklarimet e tyre mund të nxjerrin fakte të reja. Është Musolmani, që është brenda i dënuar me burg përjetë, rrethana të veçanta mund të bëjnë që gjyqi ta kalojë detyrën imediate që do të merret me pozicionin e Izetit dhe po nxori fakte të reja është tjetër gjë. Por unë nuk besoj ndonjë gjë të madhe.
/NOA.al