Një shqiptar në Greqi tentoi të vetëflijohet duke u hedhur nga pallati.
Mediat greke raportuan se emigranti shqiptar në Selanik kërcënoi se do hidhej pasi kishte mbetur pa punë, jetonte në një kasolle si dhe kishte paguar taksa për vite por s’kishte më leje qëndrimi në Greqi.
Ministria e Jashtme është vënë në lëvizje pas rastit të ndodhur ditën e sotme.
Konsullata e Përgjithshme e Selanikut ka takuar vetë emigrantin i cili ndodhet në Rajonin e Policisë së qytetit.
Po ashtu konsulli është takuar me vajzën e tij dhe po ndiqet situata për të gjetur mundësinë e zgjidhjes sa më parë për të ndihmuar emigrantin shqiptar.
NJOFTIMI NGA MEPJ
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik sapo mori dijeni për ngjarjen e ndodhur gjatë pasdites së sotme të një shtetasi shqiptar me banim në Lagkada, i cili ka tentuar t’i japë fund jetës së tij për motive personale, është vënë në kontakt menjëherë me drejtuesit e Rajonit Qendror të Policisë në Selanik si dhe është takuar tanimë edhe me vetë shtetasin, i cili ndodhet aktualisht në këtë rajon.
Konsullata është lidhur menjëherë edhe me familjarët e shtetasit dhe aktualisht, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik është në takim me vajzën e shtetasit duke ndjekur situatën në vijimësi për të gjetur mundësinë e zgjidhjes sa më parë, në ndihmë të shtetasit shqiptar.