Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se qeveria Rama gjatë 2 mandave të saj nuk ka bërë asnjë për personelin shëndetësor, madje i ka detyruar ata që të largohen nga vendi. Duke iu referuar të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Basha thekson se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë.
Ai premton se kur të vijë në pushtet do ua rrisë pagat mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët.
Postimi i plotë:
Në Shqipëri, sistemi shëndetësor publik vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, investimeve në infrastrukturë dhe pajisjeve mjekësore. Qytetarët duhet të presin orë e ditë të tëra në radhë për të marrë shërbimin bazë. Mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Si rrjedhojë e largimeve masive të stafit mjekësor gjatë viteve të fundit, zona të tëra në Shqipëri janë pa mjekë dhe pa shërbim për qytetarët.
Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë. Ndërkohë që Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.
Pas 2 mandatesh të qeverisjes së Ramës, mjekët shqiptarë paguhen më pak se në çdo vend të rajonit apo Europës. Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është dhe paga më e ulët në rajon.Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro.
Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e personelit shëndetësor, me synim ndalimin e largimit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë), mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë).
Personeli shëndetësor në Shqipëri ka nevojë të menjëhershme për mbështetje. Në 7 vjet kjo qeveri i shpenzoi paratë e shqiptarëve për konçensione dhe tendera korruptivë. 120 mil euro shkuan për check up-in e famshëm, para të cilat mund të përdoreshin për të mbështetur personelin shëndetësor apo për të blerë aparatura të reja.
Dështimi me shëndetësinë këto 7 vjet u pa qartë nga të gjithë dhe në menaxhimin e pandemisë. Ende sot, me rritjen e përditshme të numrit të të prekurve nga coronavirus, deklaratat për hapjen e 2 spitaleve të reja Covid mbeten pjesë e propagandës ndërsa në disa raste personeli shëndetêsor nuk ka marrë shpërblimet e premtuara.
Në planin tonë ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur specializimet për mjekët e rinj në mënyrë që të rrisim kapacitetet. Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor.Do të rrisim investimet për aparatura moderne të qëndrave shëndetësore dhe spitaleve. Do të anullojmë konçensionet korruptive dhe do të çojmë para ligjit ata që abuzuan me paratë e shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri normale, që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh.
Kjo deklaratë e kreut të PD-së Lulzim Basha, vjen pas premtimit kryeministrit Edi Rama se gjatë muajve të ardhëm do ua rrisë rrogat bluzave të bardha. Sakaq, një ditë më parë., kryeministri dha edhe premtimin se qeveria e tij do të rrisë dhe pagat për mësuesit.