Ambasada shqiptare në Greqi ka ndryshuar procedurën e aplikimit dhe marrjes së pasaportave dhe mjeteve të identifikimit, për shtetasit shqiptarë që punojnë apo edhe jetojnë në vendin fqinj.
Këto ndryshime vijnë pas ndtyshimve që janë bërë në krye të Ambasadës Shqiptarë në Athinë, ku pak ditë më parë u emëruar, Luela Hajdaraga.
Sot data e takimit jepet për 10 ditë pune nga momenti i aplikimit dhe shpërndarja e pasaportës realizohet për 4 javë, ndërsa premton akoma më shumë shkurtimin e kohës së pritjes.
“Të nderuar bashkatdhetarë, duke filluar nga data 27 korrik 2020 Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë ka kryer procedurat për pajisje me pasaportë për 19.331 shtetas”.
“Gjithashtu në këtë hapësirë kohore janë shpërndarë 18.575 dokumente biometrike”.
“Më e rëndësishmja në këtë iniciativë është fakti se sot data e takimit jepet për 10 ditë pune nga momenti i aplikimit dhe shpërndarja e pasaportës realizohet për 4 javë. Brenda muajit tetor 2020 koha e pritjes për marrjen e shërbimit do të shkurtohet në 5 ditë pune dhe në total pasaportat do të dorëzohen për 3 javë” – thuhet në njoftimin e Ambasadës Shqiptare në Greqi.
Në kuadër të angazhimit për rritjen e cilësisë së shërbimit të Zyrës sonë Konsullore, si dhe lehtësimit të procedurave ndaj qytetarëve tanë me banim në zonat e largëta, Ambasada Shqiptare në Athinë dhe edhe njoftimin e rëndësishëm:
Kanë mbërritur në Zyrën e Shpërndarjes pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë pasaportat dhe kartat e identitetit për aplikimet e kryera deri në datën 4 shtator 2020.
Spërndarja e dokumenteve biometrikë do të vijojë me të dy mënyrat:
Nëpërmjet tërheqjes në sportel nga vetë qytetari ose nga persona të tretë të pajisur me autorizim (deklaratë me përgjegjësi nga K.E.P), nga dita e hënë deri në të premte, ora 08:00-16:30.
Nëpërmjet shërbimit postar:
Bazuar në e-mailet e grumbulluara deri në datën 20 shtator 2020 në postën tonë elektronike [email protected]
Bazuar në deklaratat e plotësuara me adresat e sakta pas aplikimit në Zyrën Konsullore, praktikë e futur në zbatim nga data 21 shtator 2020.
Fillon shërbimi postar edhe për shpërndarjen e Kartave të Identitetit. Kjo do ju kursejë tashmë distancat dhe kostot që rrjedhin nga paraqitja e detyruar fizike në sportelin e Ambasadës. Aktivizimin e kartës suaj ID mund t’a kryeni në çdo zyrë aplikimi për pasaporta të vendit tuaj të banimit në Shqipëri, kur të gjendeni atje.
Gjithashtu, përsa i përket takimeve të ardhshme për aplikimet për dokumente biometrike, duke synuar që në ditët në vijim të zvogëlojmë dukshëm kohën e pritjes për marrjen e shërbimit, kërkojmë bashkëpunimin tuaj lidhur me:
Korrektesën në paraqitjen e dokumentacionit të detyrueshëm të kërkuar paraprakisht (Pasaportë, Kartë ID dhe faturën e pagesës). Pranë Ambasadës si mjete ndihmëse janë pozicionuar makineri ATM për pagesat me kartëmonedha dhe P.O.S për pagesa me çdo lloj karte bankare, megjithatë ne inkurajojmë qytetarët tanë, për shmangien e vonesave, të kenë parapaguar tarifat e tyre pranë degëve të Bankës së Pireut.
Respektimin e orarit të takimit.
Respektimin e numrit të rradhës.
Mbajtjen e distancave me njëri tjetrin.
Shmangien e grumbullimeve.
Hyrjen në sallë vetëm kur ka karrige bosh.
Minimizimin e diskutimeve në ambjentet e Zyrës Konsullore.
Që fëmijët të kalojnë një kohë cilësore ndërsa janë në pritje të aplikimit, tashmë kemi krijuar për ta një hapësirë të veçantë brenda Zyrës Konsullore e cila përmban Biblotekën e Lexuesit të Vogël, ku vogëlushët mund të shfletojnë libra shqip për të gjitha moshat. Sjellim në vëmendjen tuaj se pas përdorimit librat duhet të vendosen sërish në biblotekë për t’u përdorur edhe nga fëmijë të tjerë.
Meqënëse angazhimi ynë i lartë po i jep frytet e veta, urojmë që ato tashmë të jenë të dukshme dhe të prekshme edhe për bashkëatdhetarët tanë.
Duke ju uruar një fundjavë të mbarë, ju mirëpresim nga dita e hënë në shtëpinë tonë të përbashkët.
/NOA.al