Pas zgjidhjes së kaosit të krijuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, Kryeministri Edi Rama dërgon një mesazh për të gjithë qytetarët.
Ai falenderon të gjithë ata që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavijës, qytetarët në radhë të parë, që sipas tij, në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim me gjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar.
Po ashtu ai falenderon të gjithë ata në vendin fqinj, Greqi, që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.
Më tej Kryeministri bën një thirrje për qytetarët, “U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme. Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid-19. /noa.al