Loading...

‘Udhëto dhe pusho shqip’/ Bënjat e Përmetit, vendndodhje magjike e kurative

Burimet ujore termale të Bënjës në Përmet, janë një destinacion turistik që duhet vizituar me patjetër, pasi mbartin veti kuruese dhe histori tejet interesante, ndërsa ka një vendndodhje magjike, mes kanioneve të Langaricës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi duke publikuar një foto nga burimet ujore termale të Përmetit, apelon qytetarët që ta vizitojnë këtë zonë të mbartur me pasuri historike, arkeologjike, natyrore, por mbi të gjitha me veti kuruese për personat që mund të kenë problem fizike.

“Keni dëgjuar për burimet ujore termale në Bënjë të Përmetit? Përmbajtja e mineraleve u jep këtyre ujërave veti kuruese e terapeutike. Vendndodhja e tyre është po aq interesante, buzë kanionit të Langaricës, gjelbërimit dhe Urës së Katiut, ndërtuar në shekullin e XVIII”,- thekson ministri Klosi.

Bënjat e Përmetit ndodhen rreth 195 kilometra larg Tiranës, ose rreth 13 kilometra nga qendra e Përmetit. Rruga drejt bënjave është e asfaltuar dhe e kalueshme nga të gjitha mjetet motorike. Në total gjenden 6 burime në rrëzë të shkëmbinjve masive, në të dy anët e lumit Lengaricë. Ujërat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese nga të cilat 4 burime përdoren për sëmundje kronike të reumatizmës, një tjetër për sëmundjet e stomakut, dhe i fundit për sëmundjen e lëkurës. Ujërat termale të Bënjës kanë një temperaturë prej 26-32 ºC.

Për të apasionuarit e natyrës dhe aventurës, Përmeti është një thesar për t’u zbuluar e shijuar, mjafton të kujtosh këtu rrjedhën e lumit Vjosa, ku mund të zhvillohet Rafting, ose hiking në malin e Nëmëçkë 2485 metra mbi nivelin e detit dhe ku banorët e zonës krenohen se është maja e para në Shqipëri, e cila përkëdhelet nga rreze e para të diellit në mëngjes./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com