Në 24 orët e fundit, Shqipëria regjistroi sërish pesë persona të vdekur pasi ishin infektuar me Covid-19. Ndërsa janë evidentuar 152 të prekur të rinj në 785 testime në shtet dhe privat.
Në dy spitalet COVID, humbën jetën 5 pacientë, një 50 vjeçare nga Tirana, një 74 vjeçar nga Fieri, një 70 vjeçar nga Elbasani, një 56 vjeçar nga Durrësi, një 74 vjeçar nga Burreli, me sëmundje bashkëshoqëruese.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 148 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Informacioni i plotë zyrtar
COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 148 të shëruar, 152 raste dhe 5 viktima në 24 orët e fundit
Dr. Eugena Tomini Instituti i Shëndetit Publik
Në vijim të vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend të përhapjes së infeksionit SARS-COV2, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në fillim të ketij komunikimi ju bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat për parandalimin e ketij infeksioni, ju lutemi mbani detyrimisht maskë në ambiente të mbyllura dhe aty ku nuk ruhet dot distanca, kujdesuni për higjenën personale, ruani distancimin fizik, dezifektoni objeketet qe prekni, mbroni veten dhe njëkohësisht të afërmit tuaj.
Ju informojmë për situatën epidemiologjike në vend. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tone janë kryer 785 testime. Në testimet përfshihen testimet në dy strukturat publike dhe rastet për konfirmim diagnoze që rezultojnë të dyshuara ose pozitive në strukturat jopublike të liçensuara, sipas vlerësimit të IShP. Sot është dita me numrin më të lartë të të shëruarve. 148 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4332 që nga fillimi i epidemisë.
Nga totali i testimeve, 152 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 74 raste në Tiranë, 21 raste në Durrës, 13 raste në Korçë, 12 raste në Elbasan, 8 raste në Lezhë, nga 3 raste në Shkodër, Gjirokastër, Klos, nga 2 raste në Krujë, Fier, Has, Përmet dhe nga 1 rast në Kukës, Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, Memaliaj, Shijak, Kuçovë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 148 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 5 pacientë, një 50 vjeçare nga Tirana, një 74 vjeçar nga Fieri, një 70 vjeçar nga Elbasani, një 56 vjeçar nga Durrësi, një 74 vjeçar nga Burreli, me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve që të jemi të kujdesshëm. Jeta është shumë e shtrenjtë për ta humbur, duke neglizhuar disa veprime të thjeshta, por që vlejnë shumë: Ruani distancën; Ruani higjienën personale dhe kolektive; Vendosni maskën; Evitoni grumbullimet; Eleminoni eventet.
Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 dhe keni shenja të sëmundjes, IZOLOHUNI dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.
COVID-19 – Statistika (23 Gusht 2020) Testime totale 56057 Raste pozitive 8427 Raste të shëruara 4332 Raste Aktive 3845 Humbje jete 250 (Qarku Tiranë 120, Shkodër 35, Durrës 34, Fier 12, Elbasan 11, Korçë 10, Lezhë 8, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 4, Gjirokastër 3, Berat 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 1952 Durrës 505 Shkodër 301 Fier 187 Lezhë 169 Korçë 174 Vlorë 137 Kukës 129 Elbasan 134 Berat 65 Gjirokastër 47 Dibër 45