Në vijim të vizitës në Pilur të Himarës, Presidenti i Republikës vlerësoi tre nga emblemat e polifonisë shqiptarë, këngëtarë të grupit polifonik “Bejkë e bardhë”.
Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, ku merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, Kryeplaku i fshatit Pilur, Dritan Bala, autoritete vendore dhe dhjetra qytetarëve, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh” *Kristo Çipa me motivacionin: “Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës”.
Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, znj.Ermioni Mërkuri, me motivacionin: “Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës”.
Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri”, Kreu i Shtetit çmoi Dhimitraq Bala me motivacionin: “Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Meta në një postim në rrjette sociale, ku shkruan: “Këngët e Atdheut tim Janë ilaç dhe janë shërim” Piluri nuk mund të perceptohet pa polifoninë e tij magjike. Këngët e pilurjotëve kanë frymëzuar luftën e kanë zbukuruar jetën, dhe janë disa prej perlave të fondit të artë të kulturës sonë kombëtare. Pilurjotët i kanë kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga e jashtëzakonshme “Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Ndaj në shenjë nderimi, pata kënaqësinë të vlerësoj në Pilur tre nga emblemat e polifonisë shqiptare, pjesë e grupit polifonik “Bejkë e bardhë”, Kristo Çipa, Ermioni Mërkuri dhe Dhimitraq Bala, të cilët me pasionin, talentin dhe zërin e rrallë kanë përçuar me mjeshtëri të rrallë nga brezi në brez, traditën, kulturën dhe kanë kultivuar folklorin e jashtëzakonshëm të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë!