Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, (DPSHTRR) njofton se parada RETRO e mjeteve të koleksionit historik shqiptar, do të zhvillohet më 14 gusht, në qytetin antik të Durrësit në ritmet Jazz dhe Swing.
Pas suksesit të paradës Retro në Tiranë, eventi vjen si një organizim i DPSHTRR në bashkëpunim me bashkinë Durrës dhe i kuruar artistikisht nga Hemingway Fan Club Albania.
“Dashuria për artin e të bukurën si një surprizë për të gjithë dashamirësit e nostalgjisë, banorët dhe turistët në qytetin bregdetar të Durrësit, në këtë sezon turistik të pazakontë Një pasion që jeton mes kujtimeve për t’u soditur duke respektuar protokollet e distancës”, njofton DPSHTRR.
Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Ndaj aktivitet e këtij lloji janë një manifestim i të bukurës mbi katër rrota.
Tashmë DPSHTRR, ka krijuar edhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura./atsh
Loading...