Avokati Spartak Ngjela ka ngritur pyetje nëse do të miratohet ligji për Vettingun e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021.
Me anë të një postimi në të bërë në llogarinë e tij në Facebook, Ngjela shkruan se edhe nëse politikanët shqiptarë do të përpiqen ta pengojnë, politika amerikane nuk do ta lejojë.
“Nëse ky do të bëhet pengesë, politika amerikane duhet të veprojë si me Saliun. Duhet t’ia thotë hapur atë që ka në dosje për korrupsionin e tij, ose ato fakte që tregojnë për shitjen e interesit kombëtar prej tij,” shkruan ai në postim.
Sipas Ngjelës, nëse vendoset Vettingu për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021, “asnjë nga këta që janë liderë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, nga forca e ligjit, nuk do lejohet të hyjë në zgjedhje.”
Postimi i plotë:
Të gjithë kandidatët për t’u zgjedhur deputetë, të cilët do të kërkojnë të marrin pjesë në garën zgjedhore të vitit 2021, duhet të vetohen. A do të miratohet ligji për vetingun e kandidatëve për deputetë?
Ja kjo është pyetja kyç.
Dhe pyetja e dytë që vjen menjëherë pas kësaj, është:
A do ta pranojë Rama këtë?
Shenjat janë se nuk po dëshiron ta pranojë; dhe, për këtë, sipas zakonit të tij infantil, do të hidhet degë më degë që ta shtyjë sa më shumë në kohë, deri në prag të zgjedhjeve, sepse ai vetë del i zbuluar dhe nuk e kalon dot vetingun.
Po në rast se e pranon? Atëherë nuk jemi përpara një abuzimi nga ana e tij.
l. Ja, na duhet ta theksojmë hapur: kjo është periudha konkrete antikorrupsion që Shqipëria e ka domosdoshmëri për të vijuar procedurën drejt Bashkimit Evropian.
Por, e gjithë kjo përpjekje shekullore e shqiptarëve po tentohet të bllokohet nga korrupsioni i lartë shtetëror që, pasi i ka vjedhur shqiptarët, kërkon t’i lëre ata edhe pa atdhe.
Rama nuk do ta pranojë ligjin për vetingun e kandidatëve, por ai ligj tani rrjedh nga Kushtetuta. Kuptohet, nëse Rama nuk e pranon, Saliu dhe Rama do të bashkohen kundër ligjit të këtij vetingu. Po, ku e pyet më politika amerikane Saliun: përse ta dojë!
Ajo ia tha hapur Saliut çfarë kishte për t’ia thënë kur, me dhunë force politike, e zhguli nga çadra dhe e futi në Parlament, pikërisht për të votuar ligjin e parë të vetingut. Dhe pastaj, po politika amerikane, duke iu përgjigjur marrëzisë së tij për dalje nga Parlamenti, e mbylli situatën në dy ditë, dhe i mobilizoi zëvendësuesit që erdhën më pas dhe e plotësuan Parlamentin.
ll. Po Rama?
Nëse ky do të bëhet pengesë, politika amerikane duhet të veprojë si me Saliun. Duhet t’ia thotë hapur atë që ka në dosje për korrupsionin e tij, ose ato fakte që tregojnë për shitjen e interesit kombëtar prej tij.
Gjykimi real është ky: nëse vendoset vetingu për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021, asnjë nga këta që janë liderë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, nga forca e ligjit, nuk do lejohet të hyjë në zgjedhje.
Ja, kështu duhet të kompletohet vetë SPAK-u, sepse jo vetëm këta, por askush që e di se ka prona të paligjshme në pronësi të tij apo të të afërmve të tij, nuk do të pranojë të kandidojë.
Dhe Shqipëria shpëton nga një bandë shekullore që po e drejton atë kundër interesit kombëtar, që nga viti 1924.