Personalitete të njohura të politikës i shprehën sot ngushëllimet Kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Aneta Rama.
Meta: Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rama
Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllime familjes Rama për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rama, për ndarjen nga jeta të nënës dhe gjyshes së tyre të dashur Aneta. U prehtë në paqe!”, shprehet Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit Rama, ka shprehur edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
Thaçi: Ngushëllime në këtë ditë pikëllimi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mesazhin e tij të ngushëllimit shprehet se “i dashur Edi në këtë ditë të pikëllimit, por edhe të krenarisë, bashkëndjej me ju dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të nënës Aneta. Ngushëllimet më të sinqerta në emër timin dhe të familjes”.
Hoti mesazh ngushëllimi kryeministrit Rama
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ngushëlloi familjen e kryeministrit Edi Rama për humbjen e nënës së tij.
Hoti shprehet se lajmin për vdekjen e saj e kam marrë vesh me shumë dhimbje. Ai shpreh gjithë ngushëllimet më të sinqerta nga ana e tij dhe e qeverisë së Kosovës.
“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama! Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Rama, familjes dhe gjithë të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, shprehet Hoti.
Xhaferi mesazh ngushëllimi kryeministrit Rama
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i ka shprehur ngushëllime Kryeministrit Rama për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Aneta Rama.
“Ju përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta me rastin e ndërrimit jetë të Nënës. E ndjera u preht në paqe. Zoti e shpërbleft me të mirat e Parajsës e familjarëve ju falt durim”, shprehet Xhaferi.
Mustafa i shpreh ngushëllime kryeministrit Rama: Humbja e nënës, moment shumë i rëndë
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka shprehur ngushëllime kryeministrit Rama për ndarjen nga jeta të nëës së tij, Aneta Rama.“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Humbja e nënës është një moment shumë i rëndë! Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Rama, familjes dhe gjithë miqve. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, shprehet Mustafa.
Veseli: Dashuria për nënën është e pafundme
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, nënës së kryeministrit Edi Rama.
Në mesazhin e tij, Veseli shkruan se dashuria për nënën është e pafundme dhe se një humbje e tillë është e pazëvendësueshme.
“Ngushëllimet më të thella Kryeministrit Edi Rama për humbjen e nënës së tij të çmuar, Anetës. Dashuria për nënën është e pafundme, prandaj lutem që ta gjej forcën për ta përballuar një humbje kaq të rëndë e të pazëvendësueshme. Në këtë kohë pikëllimi, lutjet janë për të dhe familjen e tij,” shprehet Veseli në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Ahmeti: E vështirë për ta përballuar është humbja e nënës
Në një mesazh ngushëllimi kryeministrit Rama, Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti, shprehet se “nëna është drita e shtëpisë” thotë gurra jonë popullore. E vështirë për ta përballuar është humbja e nënës, sot bashkëndjej dhimbjen e Edit dhe të familjes për nënën, gjyshen e tyre, Aneta Rama. Ngushëllime më të afërmve, familjes, miqve e dashamirëve, u prehtë në paqe”.
Balla: Vetëm dashuri dite të falësh
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës.
“U prehsh në paqe nëna Neta! Vetëm dashuri dite të falësh deri në ditën e fundit. Ngushëllime familjes Rama për humbjen e nënës së dashur”, shprehet Balla.
Braçe: E kam me vete zërin tënd që na bënte bashkë
Zv. Kryeministri Erion Braçe ka bërë një mesazh të veçantë ngushëllimi për nënën e kryeministrit Rama, Aneta e cila u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 82-vjeçare.
“Të jesh në paqe mike e mirë! E kam me vete zërin tënd, revoltën që na bënte bashkë; Mirësinë tënde! Lamtumirë!”, shprehet Braçe.
Koçi: Nëna është e vetmja perëndi qe na prek dhe e prekim
Zv. ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta të Aneta Ramës, nënës së kryeministrit.
“I dashur Edi, Nëna është e vetmja perëndi qe na prek dhe e prekim. Është perëndia qe na jep sise e qe loton për ne! I ndritë shpirti Netës!”, shprehet Koçi.
Deputeti socialist Arben Pëllumbi në mesazhin e tij të ngushëllimit thekson “E pa harruar qoftë”.
Ndërsa Drejtori i Transportit Blendi Gonxhja shprehet se “deri 1 ditë përpara se të ndahej nga jeta s’kursyen helm nëpër tv, ata që veç zoti i faltë për sa e sëmurën, gruan, nënën! RIP Aneta Rama”.
Ekipi i futbollit të Partizanit: Humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme
Ekipi i futbollit të Partizanit ka përcjell ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, e cila është e ëma e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij ekipi, Olsi Rama. “Me keqardhje të thellë njoftojmë sot se është ndarë nga jeta Znj. Aneta Rama, e ëma e Drejtorit të Përgjithshëm të FK Partizani, Olsi Rama. Klubi Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Rama dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme”, shprehet ekipi i Partizanit./atsh
