Loading...

Legjenda e ‘Partizanit’ dhe Kombëtares/Dekorata ‘Nderi i Kombit’ për Sulejman Maliqati

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta vlerësoi me rastin e 92-vjetorit të lindjes, portierin legjendë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, Sulejman Maliqati me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar, talentin dhe personalitetin e jashtëzakonshëm, si një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, legjendë e të gjitha kohëve”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, miqve, kolegëve dhe personaliteteve të shquara të sportit, Presidenti Meta vuri në dukje se “Urimet më të përzemërta, me jetë të gjatë e shëndet të plotë, i dashur Profesor Maliqati! I fortë gjithmonë, shembull për më të rinjtë!”

“Sul Maliqati është një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, një legjendë e padiskutueshme e të gjitha kohëve, frymëzim dhe shembull për shumë gjenerata sportistësh, të cilët hynë në botën e sportit dhe arritën suksesin, të frymëzuar nga modeli i mjeshtërisë së tij”,- tha Meta.

“Portieri i mirënjohur i ekipit të Partizanit dhe Kombëtares në vitet 1949-1965, është një nga ikonat e gjalla të futbollit shqiptar me një karrierë sportive të nisur me ekipin e Besës së Kavajës”,- shtoi Meta.

“Profesor Maliqati është thesari i kujtimeve dhe emocioneve aq të paharruara të futbollit shqiptar, që na kujton portierët më të mëdhenj të historisë botërore të sportit. Më mirë se kushdo tjetër, talentin e tij e njihte e vazhdon ta kujtojë çdo lojtar që vinte para portës së tij, pasi ai ishte i pamposhtur dhe triumfues ndaj goditjeve më të pamundura për çdo portier tjetër. Sulejman Maliqati është fitues i 7 titujve kampionë dhe i 4 kupave të Shqipërisë”, kujtoi Meta.

“Rezultati më i bujshëm dhe momenti më i paharruar në historinë e futbollit shqiptar u arrit në lojrat e Leipzigut të vitit 1958, ku Partizani mori kupën e vendit të 2-të dhe ku shtypi i huaj sportiv e quajti Sul Maliqatin si ‘macja e zezë’ e futbollit shqiptar dhe mburoja e pakalueshme e portës shqiptare”,- tha Presidenti.

“Shembulli dhe virtuoziteti i tij kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë ndër dekada dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë: Portieri që nuk luajti kurrë me doreza, pasi ai e ndiente topin jo vetëm me duar e gishta por e njësonte me vetë qenien e tij. Në çdo stërvitje nuk dilte kurrë pa 2 deri në 3 mijë prekje të topit me duar dhe është rasti më unik në historinë e futbollit që për 15 vite me radhë nuk mungoi kurrë në as edhe një ndeshje. Ai nuk u dëmtua e as u sëmur kurrë, ose të paktën nuk tregoi se ishte sëmurë’,- vijoi Meta.

“Kjo duhet të ketë qenë e vështirë për portierët zëvendësues, por tregon përkushtimin dhe pasionin e madh të Sul Maliqatit për lojën e bukur të futbollit. Sul Maliqati, me pasionin e tij të jashtëzakonshëm do të mbahet mend edhe si sportisti, siç e përmendi edhe gazetari Bujar Qesja, i cili u mësoi danezëve himnin shqiptar me shumë dashuri”,- tha Meta.

“Jam i lumtur që së bashku nderojmë Profesor Sulejman Maliqatin në 92-vjetorin e tij të lindjes për rezultatet që ka arritur, për meritat por edhe për vlerat e tij morale dhe sportive, për fisnikërinë dhe qytetarinë që ka rrezatuar përgjatë gjithë jetës, si dhe për krenarinë që i ka dhënë vendit dhe kombit shqiptar në arenat ndërkombëtare. Gjithçka i ka dhënë futbollit gjatë karrierës, është një shembull frymëzues për historinë e sportit tonë dhe një mesazh i rëndësishëm për brezat e ardhshëm. Që në moshën 14 vjeç, Sul Maliqati jo vetëm nuk u nda nga futbolli dhe nga porta, por krijoi një karrierë dhe një emër legjendar në historinë e sportit shqiptar, që kujtohet me shumë admirim edhe sot”,- tha Meta.

“Ky shembull pasioni për sportin duhet të jetë frymëzim edhe për brezat më të rinj, që po përjetojnë epokën e teknologjisë dhe po hasen me sfida të shumta. Sporti jo vetëm sjell shëndet fizik e mendor, por edhe të largon nga veset e kohës dhe problemet sociale. Një rini që merret me sport është më e shëndetshme, më vitale dhe më e angazhuar. Një shoqëri që e do dhe merret me sport është më e emancipuar, më tolerante dhe më e bashkuar, por edhe më atdhetare. Urojmë të kemi sa më shumë yje dhe legjenda të sportit si Sul Maliqati dhe shumë ikona të tjera, që janë e mbeten krenaria e kombit tonë”,- shtoi Presidenti.

“Dekorata ‘Nderi i Kombit’ që i akordohet sot legjendës së futbollit Sulejman Maliqati është një vlerësim i punës, i sakrificave, i rezultateve, i miqësisë e thjeshtësisë, që karakterizon këtë futbollist legjendar, një njeri me vlera dhe integritet të lartë, qytetar i respektuar, por edhe një edukator shembullor për brezat më të rinj. Profesor, jeni gati për t’u futur prapë në portë apo jo?” – u shpreh Presidenti Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com