Loading...

Lavdi Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari në 20 vjetorin e rënies së tij!

Lavdi Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari në 20 vjetorin e rënies së tij.
20 vjet më parë, pikërisht në 2 gusht të vitit 2000 më telefonon Kryeredaktori i gazetës “Zëri i Popullit” Erion Braçe. Zëri i tij ishte drithërues. Kanë vrarë Arben Zylyftarin, dëgjova zërin e tij që u lëkund në ngashërim. Veshët më buçitën dhe një marramendje më përshkoi të gjithë qenien time. Si, si, kur, pse? Ishin pyetjet e mia të shpejta dhe pa busull. Rrash në divan me gjunjë të prerë. Si është e mundur pyeta pas pak veten dhe u përpoqa të qartësoheshin. Ai, Drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës, Koloneli me nam Arben Zylyftari ishte vrarë gjatë një operacioni ndaj një të kërkuari në qytetin e Shkodrës. Vetëm dy ditë më parë më kishte telefonuar nga zyra e tij në Shkodër dhe më kishte premtuar që shumë shpejtë do rikthehej në Vlorë. Ai bëri shumë punë të mira në Vlorë kundër krimit dhe shihej nga keqbërësit si dora e fortë e shtetit të së drejtës.
Kanë kaluar 20 vjet që Arben Zylyftari nuk është më, por Ai ka ngelur i skalitur në memorien e shqiptarëve si sinonim i perfeksionit ndaj detyrës, si frymëzim për brezat e policisë së shtetit, si gjiganti që sakrifikojë jetën për rendin dhe qetësinë publike, si atdhetari dhe patrioti që u shkri për këtë tokë.
Gjatë këtyre viteve jam munduar të fus disa nga aksionet e tua brilante në faqet e romanit tim “Bebi Skafisti” sepse ti meritoje pavdekësinë. Kur u largove nga Vlora më le një kujtim, më le Beratin tënd të dashur të gdhendur në dru dhe ja ku e kam, në mur, ku sytë kanë 20 vjet që më shkojnë atje te pavdekësia jote.
Kanë kaluar 20 vjet dhe dhjetëra e qindra të tjera do të kalojnë, por Arben Zylyftari do të vazhdoi të shndrijë në panteonin e dëshmorëve të kombit shqiptar, si krenaria e policisë për mbrojtjen e shtetit dhe të qytetarëve, si inspirim për njerëzit e tij të dashur, vajzën Eni, djalin Franc dhe bashkëshorten Elca.
Qoftë i përjetshëm kujtimi jot MIK!/Clirim Hoxha

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com