Pandemia COVID-19 gati sa nuk i dha fund të gjitha kampionateve të futbollit për sezonin 2019-2020, por vendosmëria e disa federatave bëri që në pjesën më të madhe të shteteve kampionatet të mbylleshin rregullisht, por pa tifozë.
Tifozët i kanë munguar shumë stadiumeve, pasi heshtja gjatë ndeshjeve i ngjante më shumë ceremonive mortore.
Por pritjes së gjatë duket se i ka ardhur fundi, me UEFA-n që ka vendosur të rikthejë tifozët në vendin që u takon, në shkallët e stadiumit.
UEFA në një video-konferencë ka vendosur që Superkupa e Evropës të luhet me praninë e tifozëve, ndërsa vendimi pritet të të ratifikohet në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të qeverisë evropiane të futbollit.
Nuk bëhet fjalë për një hapje totale të dyerve të stadiumit, por vetëm për praninë e një numri të kufizuar tifozësh, pra vetëm një pjesë që pritet të jetë sa 1/3-a e kapacitetit total të stadiumit.
Kujtojmë që Superkupa Evropiane do të zhvillohet më 24 shtator në stadiumin “Puscas Arena” të Budapestit, në Hungari. Ky stadium ka një kapacitet prej 67 mijë tifozësh dhe për Superkupën pritet të lejohet prezenca e rreth 20 mijë tifozëve.