Kur kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet, në vitin 2013, me premtimin se do të bënte gjithçka për “njerëzit e zakonshëm” të ketij vendi, një ndër postet më të rëndësishme, atë të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ia besoi në atë kohë një emri jo shumë të njohur për publikun.
Brisida Shehaj fitoi garën mes mijëra ‘njerëzve të zakonshëm’ të këtij vendi, të diplomuar në vendin tonë për Ekonomi, apo edhe jashtë Shqipërisë.
Ajo e mbajti këtë post për disa vite, për t’u emëruar më pas sërish drejtoreshë, në një prej televizioneve më të mëdha në vend, post të cilin e mban ende, pavarësisht nëse kishte ndonjë përvojë në media.
Por një vit para zgjedhjeve parlamentare, ish-drejtoresha që fitoi famë nga imitimi që iu bë në “Portokalli” përmes shprehjes “ku është problemi këtu”, duket se ka vendosur t’i rikthehet politikës.
Ajo është shfaqur krah kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në Jalë, me të cilën ka ngritur raporte edhe miqësore.
Ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, për darkë bashkë me Kryemadhin pas takimit me të rinjtë e LRI, thotë se kryetarja e LSI, kishte përgatitur hasude.
“Për sonte po bëjnë hasude, meqënëse na mungonte kafja turke“, – shkroi Shehaj, dhe në foto shfaqet Krymadhi me përparëse.
Rreth tyre ka edhe shumë të rinj, të cilët me kuriozitet shikojnë recetën e kryetares së LSI-së.
Hasudeja është një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare, e thjeshtë dhe e lirë, pa shumë shpenzime. Ndërkaq, duket se Shehaj ka bërë një lëvizje politike, pas ftohjes me PS-në.
Ndërkaq, partitë politike vazhdojnë akuzat e ndërsjella mes tyre, në garë të vazhdueshme me njëra-tjetrën prej 30 vitesh, se cila prej tyre është më pranë qytetarit të thjeshtë dhe cila është në gjendje të shpëtojë Shqipërinë nga kolapsi ekonomik, me qëllim që të ndalet një herë e mirë eksodi i të rinjve shqiptarë drejt Europës.
/NOA.al