Kryeministri Edi Rama bën homazh me anë të një mesazhi, me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të regjisorit Gjergj Xhuvani.
Ai e quan “superçun”, nga ata që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë.
Rama thotë se i ndjeri dhe e shoqja Luiza Xhuvani, ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje “nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë!”
Mesazhi i plotë i Ramës
Sot viti dëgjova lajmin e pabesueshëm të ikjes nga kjo botë të Gjergjit, Xhuvanit. Gjergji ishte superçun, qysh gjithnjë, një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë. E mbaj gjithmonë mend të dashuruar pas Lizës, kur ishim në të njëjtat vite paralele në Akademinë e Arteve dhe ndanim një holl të përbashkët, mes atelieve të “Figurativit” djathtas e studiove të “Dramës” majtas. Në të gjitha zboret na bashkonte një kapanon dhe një togë, në repartin legjendar të Mamurrasit, po mbi të gjitha një pagure me raki dhe copat e kaçkavallit të mëngjesit, mbledhur nëpër xhepa për bashkëbisedimet fluturake pas shkurreve të luftës imagjinare me imperializmin amerikan.
Gjergji u martua me Lizën dhe njëri flirtoi për vite të tëra me filmin, tjetra me teatrin, megjithëse në fakt Liza ishte një yll që shkëlqente qoftë në skenë, qoftë në ekran. Ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë! Po kjo është një histori tjetër.
Ndërsa historia krijuese e Gjergjit, edhe pse e prerë në mes brutalisht nga një sëmundje dërrmuese, që pasi i mori njërën këmbë, i mori edhe jetën, është një kapitull i pambaruar, shkruar me pasion e me inteligjencë të spikatur artistike, brenda librit të historisë së kinematografisë shqiptare. Filmat e tij e çuan emrin e Shqipërisë në plot festivale ndërkombëtare, madje njëri syresh arriti deri në seleksionimin e parë të filmave të huaj, që u gjykuan për nominimet e kandidatëve për Oscar në vitin 2010.
Gjergji i mbylli përgjithnjë sytë në një dhomë hoteli në Itali, ku shkoi të flejë natën vonë në fund të një dite të gjatë pune, pasi mbaroi montazhin e filmit të tij të fundit. Nuk u zgjua më. Më duket habi akoma sot që nuk do ta takoj më dot në këtë jetë shokun e mirë, me të cilin shiheshim rrallë, por gjithnjë me shumë kënaqësi, e flisnim për sfidat tona krejt të ndryshme të radhës, ai me filmin që do të vinte e unë me këto të miat, po biseda prekte kinemanë, letërsinë, artin, mediat, shoqërinë shqiptare dhe sigurisht kohën e studimeve tona, ku komedia jetësore e zborit nuk mund të mungonte asnjëherë në bisedë, bashkë me paguren e rakisë që ishte arma armiqësore e disiplinës ushtarake në brezin e Gjergjit.
Gjergji ishte vërtetë njeri i rrallë, mik i mirë, artist që fliste me vepra e që fjalët i kursente bukur. Bukur kursehej edhe kur shijonte verën, i pëlqente të pinte dhe ishte kënaqësi e veçantë tavolina me të, sepse për ta mbaruar një gotë merrte kohë, teksa i merrte aromën, i komentonte përbërjen, i kërkonte ndihmën për të ngritur shëndetet.
E ngrita këtë tekst për ty Gjergj – sot një vit më parë nuk lidha dot as pesë fjalë bashkë! – me pikëllimin që s’mblidhemi dot më, për të folur e për të qeshur si dikur, po edhe me buzëqeshjen e përlotur që më jep kujtimi yt. Prehu në paqe shoku im! /noa.al