Ish-deputeti i PS, njëherazi botuesi i Toenës, Fatmir Toçi fiton betejën me COVID-19.
Ai tha se fitoi pas 55 ditësh luftëm në kufijtë e të pamundurës, për t’i rikthyer pranë familjes.
“Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë,” – tha Fatmir Toçi, – “sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë”.
Më në fund, Fatmir Toçi është rikthyer pranë gjirit të familjes me një mal falenderimesh për mjekët e ‘Shefqet Ndroqit’, që e ndihmuan dhe e rikthyen në jetë pas një lufte të vështirë që dukej se po e humbte.
Reagimi i plotë i Ish-deputetit Fatmir Toçi:
PRANË FAMILJES, MË NË FUND…
Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë.
Falenderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfëra ti shprehin deri në fund, për personelin e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj., në mënyrë të veçantë prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i këtij institucioni të destinuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes.
Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit te tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një lufte që dukej e humbur.
Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do të dilja.
Miqtë e mi kudo që jeni, jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!
/NOA.al