Nga Flora Xhemani Baba Nëse doni të kuptoni se si funksionon shoqëria shqiptare, mos u gënjeni nga ekranet, ku analistët bëjnë skanerin e politikës dhe ku vipat na tregojnë “la bella vita”. Mjafton të shkoni një ditë në Dhërmi, jo për të bërë plazh po për t’i marrë plazhet me radhë dhe do të keni një pasqyrë të qartë të përditshmërisë tonë.
Gjen aty nga të gjitha; zhulin deri në gju dhe luksin që feks nga larg me prepotencën e vet tipike, resorte të tipit “luxury & Spa” ku vetëm një masazh relaksi kushton 100 € dhe fast food-e ku gocat shkojnë me terezi e fshehurazi, që të mos i shohin shoqet, plazhe me çadrat me dantella, në të cilat gocat e fast food-eve lënë gjysmën e rrogës dhe plazhe me shezllone të prishura ku të thyhet arrshi i qafës, parkingje private ku futesh falas por vetëm po hëngre drekë aty dhe parkingje-cepa rruge ku punërori të sheh nga koka te këmbët si roje spitali, të nxjerr koston sa të vlen lëkura dhe e vë çmimin sipas vlerës që të ka dhënë , ka dyqane ku një ujë kushton 300 lekë por edhe shitës ambulantë, që rrushin e importit ta shesin për rrush vendi, restorante “gourmet” ku një pjatë me tre karkaleca kushton 30€ por edhe zgarë sallamerish, ku me 30€ ha gjithë familja.
Dhoma që kushtojnë 300 € por mund të flesh edhe në çadër. Ka staf që të shërben me korrektësi por ka edhe pehlivanë që me shpresën se nuk do shikosh faturën, ta hedhin me ndonjë njëzeçe. Ka plazhiste që lahen me pupa deti prej gurëve por ka edhe pjeshka që nuk i heqin takat 15 ponds në asnjë çast të ditës. Por ajo që ulërin më shumë në Dhërmi janë plehrat. Ato i gjen kudo; në rrugë, në plazh, pranë shezllonit tënd, pas kurrizit tënd të futura nëpër gropa shkëmbinjsh, para resorteve luksoze ku janë bërë kapicë, nëpër qoshet e çdo parkingu, në çdo rrënjë peme, nëpër ullishta, madje edhe brenda në det, ku u bëjnë shoqëri peshqve.
Plehrat i bashkojnë në harmoni të plotë të gjitha shtresat; të pasurit vanitozë, që rrudhin buzët sapo dalin nga resorti por që plehrat e tyre i fluturojnë nga dritarja e makinës, të varfrit që duan me çdo kusht të vijnë në Dhërmi edhe pse nuk është për xhepin e tyre, bizneset që prej nevojës së “vjeljes” ç’është e mundur nga gushti, nuk kanë kohë dhe i hedhin të gjitha aty afër, hallexhinjtë që shesin, shitësit ambulantë dhe plazhistët, që kur largohen, lenë pas skena të vërteta krími e në fund edhe punojësit e pushtetit lokal, që lekët e plazheve i morën paradhënie por dy kosha më shumë nuk i vunë dhe e kanë lënë gjithë plazhin në mëshirën e ndërgjegjes së munguar të kësaj lukunie që përmenda më sipër. Dhe për ta mbyllur, ashtu siç thoshte personazhi i Ndriçim Xhepës në një nga filmat e Socrealizmit, Dhërmiu është pasqyra ku ne duhet të shihemi dhe nëse na ka mbetur sadopak ndërgjegje, duhet ta pranojmë që jemi të shëmtuar.