Kryetari i Partisë Demokratike ka sjellë në vëmendje një raport të “Gallup” për largimin e të rinjve nga Shqipëria.
Lulzim Basha shkruan në Facebook se një në çdo 3 persona që ikën nga vendi ynë është i ri apo e re, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon.
Sipas tij, “sot shqiptarët largohen sepse kanë më pak mundësi për arsimim, dhe ata që arsimohen më pak mundësi për punësim”.
Ai shton se me Ramën Kryeministër promovohen kriminelët dhe jo të mirëshkolluarit.
“Taksat e larta të qeverisë Rama këto 7 vjet kanë marrë më shumë para nga xhepat e të rinjve se çdo qeveri tjetër, teksa korrupsioni nuk lë të ecin përpara ata që janë profesionistë të ndershëm”, shkruan Basha.
Dhe përballë kësaj situate, tregon mënyrën se si mund të dilet nga nga kjo krizë.
“Ne do të bëjmë gjithçka për ti mbajtur në vendin tonë të rinjtë si krahun më vital të punës. Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre. Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për ti dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit.
Ne do të çlirojmë tregun nga monopolet që ekonomia jonë të marrë frymë lirisht: me taksa te ulëta, investime në teknologji, dhe një politikë fiskale që mbështet punën.
Plani ynë do të krijojë hapësira që kushdo që dëshiron të arsimohet e të punësohet ta bëjë këtë në vendin e vet. Shqiptarët duan një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe që ju bëhet atyre krah, një qeveri që ofron mundësi dhe punë per djemtë dhe vajzat tona! #ditemetemira”, përfundon Basha.